Dështon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
BKT
Lajme

Dështon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

F.S / RTKlive

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka pranuar se ka dështuar mbledhja e kryesisë, për shkak të mungesës së nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Mbledhja nuk u mbajt, mungoi nënkryetari i LDK-së. Kryetari deklaroi se është mirë që në mbarëvajtjen e punës së Kuvendit të mbajnë një qëndrim të veçantë në Kryesinë e Kuvendit si grup, duhet të ndahet nga qëndrimet politike”, tha Kusari-Lila, duke shtuar se në propozimin për rend të ditës për një seancë të re plenare kanë qenë 18 pika, ku ishin edhe dy marrëveshje ndërkombëtare, 9 projektligje në shqyrtim të dytë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, rreth masave të përkohshme të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, tha se nëse janë afatshkurtra, ndikimi i drejtpërdrejt i tyre nuk është i ndjeshëm.

Ndërkaq, rreth konferencës  së propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për zgjidhjen e problemit midis Kosovës dhe Serbisë, Kusari-Lila tha se nuk është propozim i duhur.

“Përpjekja jonë është që t’i kthehemi zbatimit të marrëveshjeve, dialogun e shohim të paalternativë, por organizimin e një konferencë të natyrës së propozuar nga kryeministri Rama nuk e shohim si zgjidhje aktuale të problemit që e mbizotëron në përgjithësi procesin e dialogut” është shprehur ajo.

Tahiri: Shpreh shqetësimin e thellë që Qeveria tentoi t’i mbajë të fshehur masat e BE-së

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se partia e tij është e shqetësuar që Qeveria e vendit e ka mbajtur të fshehtë masat që janë marrë nga BE-ja.

Madje ai tha masat e tilla e dëmtojnë raportin me vendet mike dhe se gjendja është e mjerueshme.

“Shpreh shqetësimin e thellë që Qeveria tentoi ta mbajë të fshehur që masat e BE-së kanë hyrë në fuqi. Me Qeverinë Kurti nuk flitet për progres por kemi hyrë në një fazë të zhvillimeve shqetësues”, tha Tahiri.

Ai tha se masat e tilla e dëmtojnë raportin e Kosovës me secilin vend veç e veç të BE-së.

“ Ju e patë edhe sot këtë dështim. Gjithçka ka stagnuar dhe mendoj se jemi në një gjendje të mjerueshme nga kjo qeverisje. Sot nuk u arrit që të caktohet seanca sepse kjo mazhorancë ka telashe edhe të brendshme”, tha Tahiri.

Ai ka bërë të ditur se si PDK do ta kenë një takim, siç tha ai, të rëndësishëm që do të marrin një vendim të qartë sa i përket vendit tonë.

 


MË SHUME NGA Lajme