Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti: Duam marrëveshje evropiane
BKT
Lajme

Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti: Duam marrëveshje evropiane

M.Miftari/RTKlive

(Plotësuar 10:44) Kryeministri Kurti, bashkë me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, si dhe me kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, para gazetarëve foli për marrëdhëniet mes Kosovës e vendeve të Beneluksit, si dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Kurti fillimisht ka falënderuar kryeministrat e këtyre dy vendeve dhe ka përmendur marrëdhëniet e shkëlqyera që Kosova ka me to. Ai ka folur edhe për progresin ekonomik dhe avancimin demokratik, duke shtuar se ende ka hapësirë për të ndihmuar në rritjen e  kapaciteteve në biznes.

Kryeministri Kurti tutje përmendi rezultatet e qeverisjes së tij përgjatë këtyre dy vjetëve, duke përmendur vlerësimin e bërë nga shumë organizata ndërkombëtare

Kurti  më tej përmendi marrëdhëniet tregtare me shtetet e Beneluksit këto tre vjetët e fundit, si edhe rezultatet në fushën e telekomunikimit, etj.

Kryeministri Kurti falënderoi kryeministrin e Holandës e të Luksemburgut për ndihmat e dhënë deri më tani, si edhe ndihmën e dhënë në arenën ndërkombëtare, në anëtarësim e Kosovës në organizatat evropiane, sikurse është edhe anëtarësimi e vendit tonë në Këshillin e Evropës.

Ndërkaq lidhur me dialogun me Serbinë, kryeministri Kurti  tha se Kosova dëshiron marrëveshje evropiane.

Kryeministri përmendi rezultatet e qeverisjes së tij përgjatë këtyre dy vjetëve, duke përmendur vlerësimin e bërë nga organizatat ndërkombëtare.

Kryeministri Rutte: Stabiliteti në rajon i rëndësishëm për paqen e prosperitetin në BE

Kryeministri i holandez, Mark Rutte,  tha se Holanda e Luksemburgu ishin ndër shtetet e para që kanë njohur pavarësinë e Kosovës më 2008, duke nënvizuar se kjo është arritur brenda dy javësh të shpalljes së pavarësisë.

 “Përfshirja jonë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor është më e afërt se kurrë dhe tentojmë të forcojmë e të zgjerojmë këtë angazhim në nivel bilateral e evropian”, tha ai, duke shtuar se agresioni i Rusisë kundër Ukrainës e ka  bërë këtë më të rëndësishëm se kurrë më parë.

 Rutte deklaroi se stabilitetin në rajon është tejet i rëndësishëm dhe shtoi se sot i kanë shprehur brengat e tyre për ngritjen e tensioneve mes Kosovës e  Serbisë. Ai, tutje tha se Holanda dhe Luksemburgu tentojnë të ndihmojnë në uljen e tensioneve mes Kosovës e Serbisë.

 “Kjo është e rëndësishme jo vetëm për paqen në rajon, por edhe në prosperitetin drejt integrimeve në BE”, deklaroi Rutte.

Ai përmendi mbështetjen e tyre në sundimin e ligjit, në reformën në drejtësi. Tutje kryeministri holandez, Rotte, u shpreh se do ta mbështesë Kosovën edhe në lirinë e mediave.

Kryeministri holandez përmendi bashkëpunimin në sferën e ekonomisë, si dhe në sferat tjera.

 

Bettel: Nuk jemi këtu për të gjykuar Albinin, por për ta dëgjuar atë

M.Pasoma /RTKlive

Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel në konferencë e përbashkët tha se në Luksemburg jetojnë mbi tremijë kosovarë.

“Dua të them se, ne i kemi tre mijë kosovarë që kanë ardhur në Luksemburg dhe kanë gjetur shtëpi kur ka qenë koha e vështirë në Kosovë dhe një zyrtar policor i cili kujdeset për mua është nga këtu. Ne e kemi një pjesë të Kosovës në Luksemburg, zakonisht keni shumë miq kur jeni të suksesshëm por  keni shok të vërtetë kur keni  vështirësi dhe kur ju duhet përkrahje dhe sic thamë më herët Luksemburg ka qenë gjithmonë në anën që kemi parë se si t’i ndihmojmë të tjerët. Nuk jemi shteti më i madh dhe e ndjejmë se duke punuar me të tjerët dhe të gjejmë personat e interesuar për të gjetur zgjidhje”, tha Bettel.

Ai tha se nuk janë në Kosovë për ta gjykuar kryeministrin Kurti, por për ta dëgjuar atë.

“Mundohemi të ndërtojmë ura të cilat janë në mes të fqinjëve, nganjëherë s’janë të lehta të ndërtohen. Dje ishim në Beograd dhe sot jemi në Prishtinë dhe ishte shumë me rëndësi të shkëmbejmë dhe te dimë se është një udhërrëfyes nga BE-ja, nga Lajkçak, e dini për ke e kam fjalën, është Borrelli. Ju e dini se çka do të thotë tensioni, Lufta e parë Botërore është filluar këtu dhe po ashtu edhe lufta  fundit ka filluar në ish -Jugosllavi dhe duhet ta largojmë çdo mundësi për krizat në të cilat shoqëria civile vuajnë më së shumti. Nganjëherë është e vështirë të kemi diskutime mes fqinjëve, por për neve është me rëndësi të theksojmë punën e përfaqësuesit të lartë dhe përfaqësuesit të BE-së dhe të ketë dialog të hapur”, tha ai.

Sipas tij, dialogu i drejtpërdrejtë duhet për të dyja shtetet. Ai njoftoi se do të takohen edhe me OJQ- të  cilat punojnë në fushën e medias dhe të drejtat e komunitetit LGBT. Ai gjithashtu tha se shtylla kryesore e BE-së nuk është ekonomia, por janë të drejtat, vlerat në të cilat është ndërtuar dhe këtë s’duhet të harrohen.

“Për neve ju jeni pjesë e familjes sonë, nuk ka linja të shpejta për BE, ka procedura edhe për Ukrainën po ashtu nuk ka rrugë të shpejtë, në kushte të cilat përmbushen. Kjo është situata për të gjithë kandidatët dhe s’kemi rrugë speciale për asnjë shtet Kjo është hera e parë që kemi takim trelateral dhe jemi të sigurt se nuk është i fundit, mund të llogaritni në neve dhe mos harroni se ne si politikan marrim vendime por popujt janë ata që marrin vlerat apo vuajtjet nga këto vendime”, tha Bettel. 

Kurti pret në takim kryeministrin e Holandës dhe atë të Luksemburgut

(Plotësuar 09:54) Kryeministri Kurti pret në takim kryeminsitrin e Holandës, Mark Rutte, dhe të Luxemburgut, Xavier Bettel.

 

Pas takimit kryeministri Kurti, së bashku me kryeministrat e Beneluksit do të mbajnë konferencë për media.

Bëhet e ditur se  me nderime shtetërore, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel.

Duke iu uruar mirëseardhje në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Kryeministri Kurti  i falënderoi për vizitën e tyre në Republikën e Kosovës.

Kryeministri i Holandës dhe ai i Luksemburgut priten nga presidentja Osmani

(Plotësuar 8:37) Kryemisnitri i Holandës, Mark Rutte dhe ai i Luksemnburgut, Xavier Bettel, nga aeroporti Ndërkombëtar Adem Jashari, kanë arritur në Presidencë, ku u pritën nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, dhe homologu i tij i Luksemburgut, Xavier Bettel, arritën në Kosovë.

Në aeroportin e Prishtinës ata u pritën nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Holandës dhe ai i Luksemburgut sot vizitojnë Kosovën

N.M. /RTKlive

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, si dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel, sot vizitojnë Kosovën.

Zyra e kryeministrit ka njoftuar se e kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, sot e pret në Prishtinë kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel.

Kryeministri Kurti ata do t’i presë në aeroport,  në ora 07:55, dy kryeministrat e shteteve evropiane nisin serinë e takimeve në Kosovë.

“Në ora 09:20 mbahet takimi i kryeministrit Kurti me kryeministrin Rutte dhe kryeministrin Bettel, kurse në ora 10:05 do të ketë një konferencë për media”, njofton zyra e kryeministrit.

Kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, si dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel, do t’i takojë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Në orën 08:30, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pret në takim kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, si dhe kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, thuhet në njoftimin e Zyrës së presidencës.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel, u bënë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ndërmarrin hapa drejt shtensionimit të situatës dhe të vazhdojnë dialogun drejt normalizimit të marrëdhënieve. Ata i bënë këto komente gjatë një vizite në Beograd ku u takuan me presidentin Aleksandër Vuçiq.


MË SHUME NGA Lajme