Osmani: Të përkushtuar për zbatim të ligjshmërisë në tërë vendin
B. H. | RTKlive
Kosova është e përkushtuar për zbatimin e ligjshmërisë në gjithë territorin e vendit, sikurse edhe për paqe e stabilitet. Kështu theksoi presidentja e vendit, Vjosa Osmani në takimin lamtumirës me ambasadorin e Çekisë në Kosovë, Pavlek Bílek, duke këmbyer pikëpamjet në raport me zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend.
E para e shtetit e falënderoi ambasadorin Bílek për kontributin në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Sipas njoftimit të Presidencës, Çekia ka mbështetur vazhdimisht përpjekjet shtetndërtuese të Kosovës dhe perspektivën evropiane.
“Në këtë frymë, presidentja Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes nga ana e Çekisë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare për të cilën gjë mori konfirmimin e ambasadorit Bílek”, thuhet në njoftim.
Sipas presidentes Osmani, sfidat aktuale, Kosova do t`i tejkalojë me partnerë dhe aleatë.
“Presidentja Osmani dhe ambasadori Bílek shprehën optimizmin e përbashkët për të ardhmen e marrëdhënieve kosovare-çeke, teksa vunë në pah potencialin për thellimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të ndërsjellë”, thuhet tutje në njoftimin pas këtij takimi.























