Kurti në takim me Lajçakun: Masat e padrejta, e bëjnë dialogun asimetrik
F.S. / RTKlive
Kryeministri Albin Kurti edhe në takimin e sotëm me emisarin e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka potencuar që masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe si të tilla e bëjnë dialogun asimetrik.
Kështu bëhet e ditur në komunikatën për media të Qeverisë pas takimit që kreu i ekzekutivit pati me të ngarkuarin e BE-së për dialogun, e ku morën pjesë edhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami dhe këshilltari i politik i kryeministrit, Jeton Zulfaj nga njëra anë dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog dhe bashkëpunëtorët e tij Christian Ramet e Mikko Väyrynen.
“Në vijim, Kurti shprehu përkushtimin dhe angazhimin e tij për de-eskalim dhe normalizim. Theksoi që Qeveria e Kosovës nuk kontribuon assesi në eskalim dhe se Policia e Kosovës vetëm zbaton ligjin e kujdeset për sigurinë publike. Po ashtu, Kryeministri Kurti konfirmoi që Policia e Kosovës e vendosur nëpër ndërtesat komunale nuk ka ndërmarrë operacione në rrethinën e atyre objekteve”, thuhet në komunikatë.
Në lidhje me rrugën përpara, Kryeministri Kurti tha që neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale e tregon qartë rrugën për zgjedhje të parakohshme nëpër komuna dhe se Qeveria në përpikëri mbështetë procedurat ligjore. Ndërkaq, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, garanci është zbatimi i plotë dhe pa kushte i Marrëveshjes Bazike e cila sjellë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe evropiane për dy shtetet, citohet kryeministri Kurti në komunikatën e ekzekutivit.























