Szunyog takim me Komisionin e Integrimeve: Të punojmë për heqjen e masave
M.Sh/RTKlive
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka njoftuar ligjvënësit kosovarë të Komisioni për Integrime Evropiane për masat që BE i ka vendosur Kosovën, duke kërkuar që të punojnë bashkë për heqjen e tyre. Szunyog ka thënë pas këtij takimi se nga ligjvënësit ka marrë garanca se do të punohet në shtensionim të situatës në veri.
"Kishim një diskutim të mirë për situatën në vend dhe marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe BE-së... Të gjithë anëtarët e Komisionit janë të gatshëm të punojnë për zgjidhjen e situatës së tanishme dhe krizës që është krijuar. Ua shpjegova pozicionimin tonë dhe masat. U kërkova që të punojmë për t’i kthyer mbrapsht këto masa”, ka deklaruar Szunyog.
Ndërkaq në një postim në Twitter, ambasadori i BE-së ka thënë se masat do të anulohen sa më shpejt që është e mundur, nëse Kosova kontribuon në depërshkallëzimin e situatës në veri, të organizojë zgjedhje të reja lokale dhe të angazhohet plotësisht në dialog.
Bashkimi Evropian ka njoftuar më 1 korrik se kanë hyrë në fuqi masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës.
masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës janë: suspendimi i përkohshëm i punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit; mosftesa e Kosovës në takime të nivelit të lartë; suspendimi i vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja si dhe; ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).























