Ramadani: Serbia është faktori destabilizues në rajon
A.B/RTKLive
E ashtuquajtura “Mbrojtja Civile” (Civilna Zashtita) dhe “Brigada e Veriut” (Severna Brigada), ditë më parë janë organizata terroriste, të shpallura nga Qeveria e Kosovës. Këto dy organizata veprojnë në pjesën veriore të Kosovës.
Ish-inspektori i Agjencisë Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, tha se Shërbimi Inteligjent Serb (BIA), ka ndikim shumë të madh tek serbët e Kosovës.
“BIA ende funksionon në modelin e një policie sekrete, e cila është e së kaluarës dhe i takon botës së kaluarës, ajo mbetet edhe shantazhuese, mbetet edhe model presioni dhe kërcënues”, tha ai për RTK Prime. Ramadani tha se Serbia është faktori destabilizues në rajon.
Ndryshe kryeministri Albin Kurti në ditën kur është marrë vendimi, deklaroi se ky vendim merret duke u bazuar në vlerësimet institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës.
Sipas tij, bazuar në këto vlerësime, formacionet civile ‘Mbrojtja Civile’ (Civilna Zashtita) dhe komponenta e saj ’Brigada e Veriut’ (Severna Brigada), paraqesin kërcenim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikë së Kosovës.























