Rama nga Maqedonia e Veriut: Rajonit i duhet mbështetje konkrete
BKT
Foto/ Nga profili i Edi Ramës në `Facebook`
Lajme

Rama nga Maqedonia e Veriut: Rajonit i duhet mbështetje konkrete

A.Bela/ RTKlive

(E plotësuar, ora 11:40)Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kërkuar më shumë mbështetje nga Bashkimi Europian për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, Rama tha se pret që Samiti i Procesit të Berlinit, që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë.

“Patën një takim dhe një diskutim shumë të dobishëm në kushtet kur Shqipëria do të mirëpresë Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë dhe kur qëllimi im është që ky Samit të shënojë disa përparime konkrete për të cilat po punojmë me kancelarinë në Berlin dhe paralelisht po diskutojmë me KE në Bruksel”, tha ai.

Sipas tij, është bërë e qartë për të gjithë ne dhe në këtë pikë kemi dakordësi të plotë se hendeku midis vendeve anëtare të BE dhe vendeve tona, në aspektin e mbështetjes financiare të BE është i pakrahasueshëm me nevojën tonë dhe me domosdoshmërinë që Europa e tërë të jetë më kompakte.

“Kjo është arsyeja pse ne prej disa kohësh filluam të shtymë në këtë drejtim, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin që të çojmë para këtë qëllim tonin të përbashkët duke furnizuar partnerët tanë me argumente konkrete dhe shifra konkrete”, tha ai.

Rama në Shkup, pritet nga kryeministri Kovaçevski

(E plotësuar, ora 11:30) Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Shkup, duke nisur kështu vizitën e parë në vizitën në rajon të ndërmarrë prej tij.

Rama është pritur me ceremoni zyrtare nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ndërsa më pas do të ketë një takim të delegacioneve të të dy vendeve. 

Pas këtij takimi, Rama dhe Kovaçevski do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për media.

Pas Maqedonisë së Veriut, Rama do të udhëtojë drejt Kosovës, ku do të takojë presidenten Vjosa Osmani, kryeparlamentarin Glauk Konjufca, ndërsa ende nuk është konfirmuar takimi me kryeministrin Albin Kurti.

Rama në Shkup, pritet nga zëvendëskryeministri Grubi

(E plotësuar, ora 11:00) Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka arritur në Shkup në kuadër të turit ballkanik për Procesin e Berlinit.

Rama këtë e bëri të ditur me shpërndarjen e një fotografie në Facebook nga Aeroporti i Shkupit. Ai është i shoqëruar ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. Ndërsa është pritur nga Artan Grubi, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Rama pret konfirmim për takim me Kurtin

(E plotësuar, ora 09:45) Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka njoftuar se sot të mëngjes janë dorëzuar në Ministrinë e Jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive.

Shefi i qeverisë shqiptare, Edi Rama ka shkruar në ‘Facebeook”, edhe për takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Pas pak drejt Shkupit për të nisur vizitën dyditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Sot të mëngjes janë dorëzuar në Ministrinë e Jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, tha Rama.

Rama publikon axhendën e plotë, ende s’ka konfirmim të takimit me Kurtin

F.Sertolli / RTKlive

Është publikuar axhenda e plotë e vizitës së kryeministrit Edi Rama, që nis këtë të enjte. Kryeministri Rama do të ndalet sot në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë, ku janë planifikuar edhe takime me drejtuesit e të dy vendeve.

Sipas axhendës, në orën 11:00 është planifikuar një takim mes Ramës dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ndërsa në orën 11:15 do të ketë një takim të delegacioneve të të dy vendeve.

Më pas, në orën 12:00, Rama dhe Kovaçevski do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Pas Maqedonisë së Veriut, Rama do të ndalet në Kosovë, ku në orën 16:00 do të zhvillojë një takim bilateral me Presidenten Vjosa Osmani.

Në axhendë përmendet edhe takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por që është ende i pakonfirmuar. Kujtojmë se të mërkurën Kurti kërkoi mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të qeverive të dy vendeve, që u anulua pak javë më parë, duke theksuar se në të kundërt nuk do të ketë më takime të tjera mes tij dhe Ramës.

Të premten (7 korrik) Rama do të ndalet në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku do të zhvillojë në orën 10:55 një takim me Kryetaren e Këshillit të Ministrave. Më pas, në orën 11:40, do të zhvillohet konferenca e përbashkët për shtyp e tyre.

Në orën 13:45 është planifikuar një takim tetë-a-tetë mes Ramës dhe kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, teksa në orën 15:40 do të zhvillohet konferenca e përbashkët për shtyp.

Më pas, Rama do të udhëtoj drejt Serbisë, ku do të zhvillojë një takim me presidentin Aleksandër Vuçiç në orën 19:30 dhe 30 minuta më pas do të mbajnë edhe konferencën për shtyp.


MË SHUME NGA Lajme