Çipa: Hapësira territoriale e Kosovës është e panegociushme
Albana Bajrami /Radio Kosova
Njohësi i çështjeve politike nga Shqipëria, Aleksandër Çipa, në një intervistë për Radio Kosovën, ka thënë se Shqipëria shtetërore do të duhej të kishte jo një rol ndërmjetës, por një kontribut politik dhe diplomatik, i cili e shtensionin dhe lehtëson krizën aktuale që është nga shkaktuara nga Serbia në kufirin ndërmjet saj dhe Kosovës.
Radio Kosova: Zotëri Çipa, kryeministri Edi Rama viziton sot Kosovën, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca. Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ende nuk e ka konfirmuar nëse do të ketë takim me Ramën apo jo. Si e shikoni këtë raport të krijuar ndërmjet dy kryeministrave?
Aleksandër Çipa: Është një raport problematik, i cili në historinë institucionale të dy republikave tona mund të konsiderohet rast i rrallë. Ajo shpreh një anormalitet institucional në shkëmbimin dyshtetëror shqiptar dhe si e tillë meriton vëmendje të posaçme. Unë jam i sigurt që në orët e ardhshme të ditës së sotme dhe gjatë qëndrimit edhe të ditës së nesërme, kryeministri Rama do ta plotësojë atë që konsiderohet protokoll formal. Por, në pikëpamje të asaj çka dëshirojnë dy kryeministrat e vendeve në raport me krizën aktuale që është nga tensionet e shkaktuara nga Serbia në kufirin ndërmjet saj dhe Kosovës, do të duhej që Shqipëria shtetërore të kishte jo një rol ndërmjetës, por një kontribut politik dhe diplomatik, i cili e shtensionin dhe lehtëson krizën. Por, nga ana tjetër i jep një drejtpeshim faktorit ndërkombëtar, e në mënyrë të veçantë atij më eminent, që në rastin konkret e kam fjalën për Brukselin dhe kontributin amerikan për qetësimin e rajonit.
Radio Kosova: Ndërkohë, partitë opozitare dhe opinionistët këtu në Kosovë, e kanë kritikuar kryeministrin Kurti për mos takimin me Ramën, derisa thonë se nuk duhet të ketë kushtëzime nga ana e tij për të zhvilluar një takim?
Aleksandër Çipa: Në një këndvështrim mendoj që kryeministri Kurti nuk mund ta konsiderojë kryeministrin e Shqipërisë si një person ekstra rajonit dhe aq më tepër ekstra hapësirës shqiptare kombëtare. Do të duhej që në relacionet institucionale ndërmjet dy kryeministrave të kishte një tjetër qasje. Aq më tepër në momentin që po flasim, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka një kurs të ri të ndryshuar, jo vetëm në raport me projektin e ashtuquajtur “Ballkani i hapur”, por edhe në nismën dhe aksionin politik e diplomatik të tij për parapërgatitjen e samitit të Procesit të Berlinit. Kështu që në këtë këndvështrim, kryeministri Kurti do të duhej që të mos ekspozonte një ngrirje të protokollit dhe pranimit dialogues me kryeministrin Rama, por pas tërheqjes së kryeministrit Rama për firmosjen e 13 marrëveshjeve dhe depozitimit të tyre në Ministrinë e Jashtme të Kosovës, do të duhej të ndryshojë qasja për një takim dhe komunikim bilateral ndërmjet tyre.
Radio Kosova: Por, cilat mund të jenë pasojat e ftohjes se raporteve ndërmjet dy vendeve, nëse mund ta quajmë kështu?
Aleksandër Çipa: Kjo varet! Shumica e opinionit publik dhe medieve, gjatë raportimit të tyre nuk e njohin plotësisht backgraundin, atë që është e padukshme. Njohin vetëm atë që zhvillohet në syrin dhe vëmendjen e opinionit publik, por nuk njohin se cilat janë efektet dhe ngarkesat që burojnë prej tendencës që ka kryeministri Edi Rama për të qenë një ndërmjetës apo negociues. Nga ana tjetër, për të parë se çfarë drafti parapërgatit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kontekstin e ngërçit të shkaktuar për të ashtuquajturin fat të komunave dhe bashkësisë së komunave serbe në Kosovë dhe nga ana tjetër, për mënyrën se si duhet të vazhdojë pas kësaj procesi i dialogimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto janë çështje që publiku nuk i njeh në thellësitë e tyre, por gjykon dhe në përgjithësi ngarkohet falë propagandës dhe artikulimeve publike që bëjnë protagonistët. Këto janë çështje që meritojnë dialog dhe jo sektarizëm. Kur them sektarizëm, kam parasysh ndasinë dhe mos takimin, e aq më tepër mos shkëmbimin midis dy krerëve më të lartë të ekzekutiveve në dy republikat shqiptare.
Radio Kosova: Ndërkohë, zotëri Çipa, si i shikoni propozimet e Ramës drejtuar presidentit francez, Emanuel Mcron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Schols, si dhe Këshillit të Evropës, ku ka shprehur domosdoshmërinë për një shtysë të re nga këto vende për zbatimin e planit franko-gjerman?
Aleksandër Çipa: Për sa i përket draftit të propozuar nga kryeministri Rama, është një çështje që rrit skepticizmin, sepse deri në çastin që po flasim, mediet e hapësirës shqiptare nuk e kanë njohur tekstin autentik të këtij drafti. Ndërsa, nga ana tjetër, edhe palët e tjera që kanë dhënë prononcime e reagime, nuk është se e kanë interpretuar detaj më detaj këtë draft. Prandaj, deri në çastin kur ky draft të bëhet i njohur publikisht dhe të zbardhet teksti autentik, atëherë edhe gjykimi ynë do të jetë i ndryshëm nga ajo që po themi sot.
Ka dy gjëra që duhet të jenë të panegociushme: e para, hapësira territoriale dhe administrative e njohur tashmë nga shumica e shteteve të botës dhe e dyta, nga të drejtat themelore të një shteti, i cili është në procesin përfundimtar të njohjes dhe të institucionalizimit formalizues të tij. Kështu që, në këtë këndvështrim pikat e kuqe që vendosen midis palëve, por në mënyrë të veçantë që duhet të jenë si të tilla nga dy republikat tona, më së shumti nga ajo e Kosovës, por edhe nga ajo e Shqipërisë, janë njohja dhe mbrojtja e territorit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Radio Kosova: Si e vlerësoni propozimin e kryeministrit Edi Rama, i cili ka theksuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duhet të mbyllen në një konferencë normalizimi, pa të drejtë daljeje, deri sa të trajtohen të gjitha pikat?
Aleksandër Çipa: Mendoj se do të duhej të përjashtohej çdo mundësi e një konference shumëpalëshe ndërkombëtare për çështjen e Kosovës, sepse kjo do të minonte fatin dhe investimin e deritanishëm shtet-ndërtues për Kosovën dhe për integritetin e saj ndërkombëtar. Kosova ia ka dalë që gjatë kësaj periudhe për më shumë se dy dekada, që të formësohet dhe të mishërojë strukturën dhe kontributin funksional të një shteti funksional. Funksionon demokracia zgjedhore, demokracia e përfaqësimit, ekziston pluralizmi, mbrohen të drejtat e pakicave, pra ato që burojnë nga konventat dhe kartat ndërkombëtare. Natyrisht, propozimi për një konferencë bilaterale, e cila të jetë nën monitorimin dhe moderimin e një faktori institucional ndërkombëtar, do të ishte më efikase dhe më dinjitoze. Për këtë, Shqipëria zyrtarisht duhet të investojë. Çdo formulë tjetër do të jetë e dëmshme. Shqiptarët nuk kanë më arsye dhe aq më tepër është një kohë e një frymë tjetër, e cila duhet të favorizojë të drejtën e tyre dhe kurrsesi të ketë anshmëri për ta.
Radio Kosova: Zotëri Çipa, si e shikoni situatën aktuale në Kosovë, edhe pas presionit ndërkombëtar për shtensionim të situatës në veri të vendit?.
Aleksandër Çipa: Në këndvështrimin tim, kryeministri Kurti ka nevojë ta elaborojë në sy të publikut, qëndrimin dhe pikëpamjen autentike të tij, për statusin që duhet të kenë komunat serbe në Kosovë dhe funksionalitetin e tyre nën marrëdhënien zinxhir dhe kushtetuese me ekzekutivin qendror të Kosovës. Nga ana tjetër, ajo që mendoj unë se është detyrë e institucioneve të Kosovës, që të ndërtohen dhe të krijohen premisa për uljen e tensioneve dhe jo të shtohen premisa, të cilat mund të përdoren si shkak nga Serbia për prishje të klimës e rritje të tensioneve dhe shkaktimin e incidenteve, të cilat e godasin imazhin e Kosovës dhe në mënyrë të veçantë e godasin imazhin e shtetit dhe institucioneve të sigurisë e rendit në Kosovë.























