Murati: Mostakimi i kryeministrave, nuk ndikon në raportet ndërshtetërore
BKT
Lajme

Murati: Mostakimi i kryeministrave, nuk ndikon në raportet ndërshtetërore

E.Hoti /RTKlive

Vizita e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Kosovë dhe mos takimi nga homologu Albin Kurti, ka ngjallë reagime nga analistët politikë dhe liderët e partive politike në Kosovë. Në debatin “RTK Prime” u konsiderua si mesazh jo i mirë mos takimi i dy kryeministrave, sidomos në këtë periudhë kur dy vendet i presin procese të rëndësishme.

Valon Murati nga Lëvizja për Bashkim thotë se raportet ndërmjet dy kryeministrave nuk interferojnë në raportet ndërmjet dy popujve. “Kjo asnjëherë nuk reflekton deri në fund në marrëdhëniet tona si shtet edhe si popull. Qoftë Ballkani i Hapur, qoftë Procesi i Berlinit apo propozimi i Ramës për Asociacionin dhe krejt këto zhvillime janë jashtë botës shqiptare”, deklaroi Murati.

Murati foli edhe për tendencën e populzimit të kryeministrave, por tha se nuk ndikojnë që raportet ndërmjet dy vendeve të ftohen.

“Edhe Ballkani i Hapur e ka pasur të njëjtin fat ashtu siç e ka pasur ideja që unë e përfaqësoja për ri-përcaktimin e kufijve si ideja e vetme e mundshme për t’i zgjidhur problemet mes Kosovës dhe Serbisë. Madje këtu është folur pa pikë turpi se Ballkani i Hapur është projekt rus,  përderisa ka qenë pjesë e Uashingtonit, që quhej si Mini-Shengen”, tha ai.

Ndërsa ish-deputeti Driton Lajçi tha se mostakimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me  kryeministrin e Shqipërisë nuk është pamje e mirë. Sipas tij, kjo e jep një porosi jo të mirë për raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ai përmendi disa nga proceset që janë shumë të rëndësishme për të dyja vendet, siç janë Ballkani i Hapur, çështja e veriut, Samiti i NATO-s , Samiti i Berlinit dhe disa tema jashtëzakonisht të rëndësishme. Sipas Ljaçit, këto procese kërkojnë unifikim.

“Në vend që ne të bëhemi gati dhe të luajmë lojën në stadium, ne po zihemi në tribuna...si përfundim kjo nuk është një pamje e mirë dhe nuk shkon në interes të Kosovës e të Shqipërisë,  e as të faktorizimit të shqiptarëve në Ballkan”, konsideron Lajçi.

Ndërsa ish diplomati Tomor Avdija tha se vendimi i 14 qershorit që kryeministri Rama mori për anulimin e mbledhjes së dy qeverive, ka qenë i rëndë për Kosovën. Ai po ashtu foli edhe për raportet ndërmjet dy vendeve, që sipas tij, gjithmonë kanë qenë të mira. Sipas tij, kryeministri Rama më 14 qershor duhej të ishte në zyrën e kryeministrit Kurti, në Kuvend dhe në Presidencë për ta gjetur një mënyrë që të dilet nga ky fërkim.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama erdhi në Prishtinë pas një vizite që i bëri Shkupit. Në Prishtinë atë nuk e priti homologu i tij, Albin Kurti, por u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Ky i fundit tha se Kosova është ndjerë e lënduar pasi Rama kishte anuluar mbledhjen e dy qeverive në Gjakovë.   


MË SHUME NGA Lajme