Rama: Të bëjmë të gjitha përpjekjet që rajoni mos të kthehet te konflikti!
RTSH
(E Plotësuar) Nga Podgorica, kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij Dritan Abazoviç kanë shprehur bashkërisht qëllimin për të bashkëpunuar për të shtensionuar situatën në rajon.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Rama tha se me Abazoviç bisedimet u përqendruan te Procesi i Berlinit dhe Samiti i Ardhshëm i NATO-s, teksa theksoi se nevojitet një qëndrim i përbashkët lidhur me shqetësimet në rajon.
Ai shtoi se duhen bërë të gjitha përpjekjet për të mos lejuar që Rajoni të kthehet mbrapsht te konfliktet.
“Diskutuam për temat që janë edhe arsyeja e kësaj vizite time 2 ditore në kryeqytetet e rajonit, Procesi i Berlinit dhe Samiti i ardhshëm i NATO-s. Për ne është e rëndësishme që në këtë Samit të NATO-s të kemi një qëndrim të përbashkët lidhur me Rajonin dhe me shqetësimet në Rajon, duke qenë të vetëdijshëm që falë Procesit të Berlinit dhe nismave të tjera, jemi në një fazë tjetër të historisë sonë dhe brezat nuk do na e falin kurrë që të lejojmë pa bërë të gjitha përpjekjet tona që rajoni të kthehej mbrapsht aty ku ka lënguar për shekuj të tërë, te konfliktet të cilat pastaj kanë shkaktuar gjakderdhje të mëdha dhe kanë hapur vija të thella urrejtje mes vendeve. Çdo gjë që ushqen konflikt në Rajonin tonë, për ne është problem dhe ne nuk jemi në asnjë mënyrë të gatshëm të bëhemi pjesë, por për t’ju kundërvënë një situate sherri. Nuk kemi nevojë për heronj të ri në Rajon, por modele të rinj që të frymëzojnë të tërë sesi të jemi më kreativë, të stimulojmë zhvillimin”, tha Rama.
Rama në Podgoricë, takohet kryeministrin Dritan Abazoviq
Pas vizitës në Sarajevë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka qëndruar në Podgoricë, ku është pritur nga kryeministri Dritan Abazoviq.Ky i fundit foli edhe për situatën në veriun e Kosovë, derisa theksoi se Mali i Zi mbështet çdo iniciativë paqësore për arritjen e një konsensusi.
“Kishim një takim goxha të gjatë, qëllimi është që të investojmë përpjekje me qëllim të deeskalimit të situatës në rajon...Qëllimi është që rajoni të jetë i fokusuar te e ardhmja, jo te e kaluara, jemi lodhur me çështjet e të kaluarës. Sigurisht që ka çështje ende të hapura, por urojmë që të mbyllen sa më shpejt. Ne nuk mbështesim asnjë lloj agresiviteti, çdo gjë që nënkupton që dy palë të ulen të flasin me njëri-tjetrin, që me mënyra demokratike të gjendet zgjidhje, ne absolutisht e mbështesim këtë”, tha Abazoviç, transmeton RTSH.
Para dite, kryeministri i Shqipërisë ishte në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku u prit në takim nga kryetarja e Këshillit të Ministrave të Republikës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Borjana Krišto, me të cilën dha edhe një konferencë të përbashkët për medie, dhe nga presidenti i Republikës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Denis Beqiroviq.
Ndërkaq dje, kryeministri Rama vizitoi Shkupin dhe Prishtinën. Në Shkup u prit nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ndërsa në Prishtinë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, teksa kryeministri Albin Kurti e refuzoi ftesën për takim.
Kryeministri do të përmbyllë turneun ballkanik me vizitën në Serbi, ku do të takohet me presidentin Aleksandër Vuçiç.
Rama në BeH: S’është sekret se Shqipëria mbron interesat e Kosovës
N.M. /RTKlive
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është pritur sot në një takim nga kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Kristo, në konferencën e përbashkët për media, Rama foli dhe për bllokimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë të Kosovës në Bosnje dhe Hercegovinë, ai tha se ky bllokim është i pakuptimtë.
“Nuk është sekret që Shqipëria mbron edhe interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe vende të tjera dhe unë ja thash dhe kryeministres që jemi të interesuar që marrëveshjet e procesit të Berlinit dhe marrëveshja për lëvizjen e lirë për qytetarët shqiptarë të Kosovës, të mundësohet sepse është e pakuptimtë që ne të kemi problematika të kësaj natyre që zbresin në nivelin e qytetarëve ndërkohë që politika duhet t’i shërbejë qytetarëve pa dallim”, ka thënë Rama.
Kryeministri Rama, sot, është pritur në një takim edhe nga presidenti i Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Becirovic. Takimi me presidentin vjen pas atij që kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi me kryeministren Borjana Kristo.
“Sarajevë - Takim me anëtarin e Presidencës së Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Bećirović”, shkruan Rama në Facebook.
Për sot është planifikuar edhe një takim tetë-a-tetë mes Ramës dhe kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Rama, pastaj do të udhëtojë drejt Serbisë, ku do të zhvillojë një takim me presidentin Aleksandër Vuçiq.
























