Gara: Mungesa e informacioneve të besueshme sfidë për gërmime të suksesshme
E. Hoti / RTKlive
Ditëve të fundit ka një dinamikë të shtuar sa i përket gërmimeve për të pagjeturit e luftës së fundit në disa pjesë të Kosovës. Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur në një intervistë në ”Info Plus” të RTK- së ka theksuar se institucionet e Kosovës janë duke u angazhuar maksimalisht në këtë drejtim, por sfidë sipas tij mbetet realizimi i gërmimeve në territorin e Serbisë.
“Sigurisht që institucionet e Kosovës, në këtë rast Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur dhe mekanizmat profesionalë institucionalë si Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës janë në zbatim të urdhëresave që lëshohen nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë. Pas kërkesave nga Prokuroria Speciale ne po realizojmë një sërë aktivitetesh në kuptim të gërmimeve vlerësuese brenda territorit të Kosovës”, tha Gara.
Ai bëri të ditur se gjatë këtyre javëve janë fokusuar në dy lokacione në regjionin e Prishtinës. ”Kemi filluar në fillim të javës me gërmime në lokacionin në Kishnicë për të vazhduar dje me gërmimet në varrezat e qytetit të Prishtinës në lagjen ‘Arbëria’”, tha ai.
Gara njoftoi se në ditët në vijim do të kthehen sërish në lokacionin në Kishnicë, derisa nuk e përjashtoi mundësinë që të kthehen edhe në lagjen “Arbëria “.
“Gjatë këtij viti kemi qenë të fokusuar në tri lokacione tjera të Kosovës si në lagjen ‘Mat’ në Prishtinë, në fshatin Rrepë të Podujevës, si dhe në një fshat të Kamenicës. Në lagjen Mat janë gjetur mbetje mortore të një personi viktimë e luftës, edhe pse ne kemi qenë të fokusuar të gjejmë dhe zhvarrosim mbetjet e dy personave. Pra, rrjedhimesht i bie që në lokacionin Mat do të rikthehemi, ashtu siç nuk përjashtohet mundësia e rikthehemit edhe në një fshat të Kamenicës dhe në një tjetër në Podujevë”, shtoi Gara.
Ai u shpreh se lokacionet që po i trajtojnë tani janë raste në të cilat janë të fokusuar pas një analize të të gjitha informatave që i posedojnë si institucione. Sipas tij, ajo që mbetet sfiduese është mungesa e informacioneve të besueshme, e që pashmangshëm lidhet me mungesën e gatishmërisë së palës serbe për të qenë bashkëpunuese në këtë proces.
Ai bëri të ditur se deri më tani janë gjetur mbetjet mortore të një personi në lagjen “Mat” dhe të një personi tjetër në lagjen “Arbëri”, e që lidhet si rast për konfirmim identiteti.
Gara tutje theksoi se lokacioni i varrezave të Prishtinës dhe lokacionet e varrezave të qyteteve të mëdha në Pejë, Prizren, Mitrovicë dhe Gjakovë janë pjesë e agjendës së institucioneve në kuptim të trajtimit në vazhdimësi.
“Forcat serbe gjatë luftës në Kosovë varrezat e mëdha i kanë përdorur për groposje të kufomave të viktimave të luftës në përpjekje të fshehjes së gjurmëve të krimit“, tha ai.
Gara tha se në lokacione të tilla po punohet me shumë kujdes. “Po krijohet përshtypja se disa herë po punojmë në të njëjtin lokacion, por kjo vjen si mungesë e informacioneve dhe mungesës së bashkëpunimit nga pala serbe”, nënvizoi ai.
Udhëheqësi i Njësisë së KQPZh-së konfirmoi se javët e ardhshme do të rikthehen me gërmime edhe në Mitrovicë dhe Gjakovë.























