Analistët: Diskursi politik mes dy kryeministrave i panevojshëm |Video
BKT
Në Fokus

Analistët: Diskursi politik mes dy kryeministrave i panevojshëm |Video

Edona Podvorica / RTK

Raportet e Kosovës dhe Shqipërisë në nivel kryeministrash, kohët e fundit janë përcjellë me mospajtime. Edhe pse  të dy vendet kanë mbi 120 marrëveshje të nënshkruara mes vete për njohësit e zhvillimeve politike diskursi mes kryeministrave është i paprecedent në raportet mes dy vendeve.

14 qershori do të shënonte mbledhjen e 9-të, të dy qeverive shqiptare, këtë radhë në Gjakovë. Në momentet e fundit, Shqipëria anuloi pjesëmarrjen. Arsyetim kishte tensionet në veri të vendit.  Nga atëherë raportet mes Kosovës e Shqipërisë, kanë shënuar ulje-ngritje.

Dje kur po vinte në Prishtinë, kryeministri shqiptar, bëri të ditur se Kosovës i janë dorëzuar 13 marrëveshje për finalizim. Marrëveshjet Prishtina zyrtare i nënshkroi. Rama e priti Kurtin për takim, por ky i fundit refuzoi.

Qasjen e dy kryeministrave, analistët e shohin të dëmshme për situatën aktuale të Kosovës. E djeshmja vlerësohet si diçka e paprecedent në raportet ndërmjet të dyja vendeve.

“Inatet personale, teket, paranojat e njeri apo tjetrit kryeministër nuk janë në momentin e duhur, këto manovra politike vërtetë janë të panevojshme”, thotë Afrim Hoti- profesor universitar.

“Problemet nuk zgjidhen me heshtje dhe injorim, por me dialog, qoftë edhe në biseda të vështira. Për mendimin tim është dashur të takohen dhe të ja thotë krejt çka ka pasur sy me sy", tha Besa Luzha- analiste.

Nga dje, 116 marrëveshjeve ndërmjet Kosovës e Shqipërisë, iu shtuan edhe 13 të tjera. Disa prej tyre janë marrëveshje që kanë mbetur në letër. Nënshkrimi i tyre vlerësohet jo i zakonshëm, sepse marrëveshjet nënshkruhen kur të dyja palët janë në tavolinë, thonë njohësit e zhvillimeve në vend.


MË SHUME NGA Në Fokus