Forumi i Dubrovnikut, temë edhe shtensionimi i situatës në veri të Kosovës
Elmine Osmani /RTK
Zhvillimet në veriun e Kosovës dhe domosdoshmëria e shtensionimit të situatës ishte një ndër temat që u diskutua në margjina të zhvillimit të forumit të Dubrovnikut në Kroaci.
Në këtë ngjarje ishte e pranishme edhe kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila tha se Bashkimi Evropian është i paaftë të garantojë paqe e siguri në Evropë, pa SHBA-në dhe NATO-n. Por kësaj deklarate iu kundërpërgjigj emisari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, i cili tha se gjithçka pozitive që ka ndodhur në gjeneratën e fundit, ka qenë nga bashkëpunimi amerikano-evropian.
Kryediplomatja e Kosovës Donika Gërvalla ka deklaruar se Bashkimi Evropian është i paaftë të garantojë paqe e siguri në Evropë pa SHBA-në dhe NATO-n.
“Pyetja kyçe është për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është Bashkimi Evropian të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim dhe pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një “Paper Tiger” në aspektin e sigurisë. Për shkak se ju e dini këtë, kërkoni paqe në vazhdimësi. Mirëpo, kjo është e rrezikshme. Paqësimi i BE-së me Rusinë ka bërë që Putini të përshkallëzojë”.
Këto deklarime Gërvalla i bëri në kuadër të Forumit të Dubrovnikut ku po merr pjesë. Por ndaj kësaj deklarate është kundërpërgjigjur emisari special i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar i cili po ashtu ishte pjesë e këtij forumi. Sipas Escobarit, gjithçka pozitive që ka ndodhur në gjeneratën e fundit ka qenë nga bashkëpunimi amerikano-evropian.
Ndërsa, në margjina të këtij Forumi përfaqësuesi i partë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell gjatë një takimi me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq kërkoi të jenë bashkë dhe të fokusuar në de-përshkallëzimin e situatës në veri.
“Historia e suksesit të Kroacisë është një demonstrim i qartë i fuqisë transformuese të BE-së”, shkroi Borrell në Twitter.
Escobar një ditë para këtij Forumi në një paraqitje para mediave e vlerësoi të mirë planin evropian duke theksuar se kryeministri Albin Kurti do të humbasë mundësinë nëse nuk pranon ta zbatojë këtë plan. Escobar mes tjerash tha se ekzistojnë "indikacione pozitive" se Beogradi mund t’i pranojë kërkesat e BE-së për dalje nga kriza, por se ai tha se nuk mund të thotë të njëjtën gjë për kryeministrin e Kosovës. Megjithatë ai bëri të qartë se masat ndëshkuese për Kosovën për shkak të mospërfilljes së kërkesave të aleatëve perëndimorë, nuk përfshijnë largimin e forcave paqeruajtëse të KFOR-it.























