Samiti i NATO-s, Rama: Shqipëria e gatshme të angazhojë trupa shtesë
N.M. /RTRKlive
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilëson vendimtar samitin e NATO-s që do të mbahet në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, më 11 dhe 12 korrik.
Rama, përmes një shkrimi në Twitter, ka thënë se në samitin e NATO-s, në Vilinus, Shqipëria do të rikonfirmojmë përkushtimin e palëkundur ndaj NATO-s.
“Ne mezi presim samitin vendimtar të NATO-s në Vilnius. Në Vilnius, ne do të rikonfirmojmë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s, sigurinë e aleatëve tanë në krahun lindor, luftën e drejtë të popullit ukrainas dhe vetë nevojën për stabilitet dhe fokus në Ballkanin Perëndimor", shkruan Rama.
Kryeministri njofton se në dekadën e fundit, Shqipëria ka rritur shpenzimet e mbrojtjes nga 1.35% në 1.76% të PBB-së.
“Megjithatë, në momente si kjo, nevojitet më shumë. Prandaj, kam ngarkuar Ministrinë e Mbrojtjes që të arrijë objektivin prej 2% deri në vitin 2024. Edhe pse nuk jemi ndër anëtarët e pasur të NATO-s, ne besojmë se objektivi prej 2% është dyshemeja dhe jo tavani i angazhimit tonë. Në Vilnius, Shqipëria do të paraqesë vullnetin e saj për t'u angazhuar më tej. Ne gjithashtu do të njoftojmë se, nëse është e nevojshme, Shqipëria është e gatshme të angazhojë trupa shtesë për të forcuar praninë përpara të NATO-s”,shkruan Rama në Twitter.
“Së bashku jemi më të fortë dhe vetëm së bashku mund të mbizotërojmë në këtë moment shumë përcaktues për atë që besojmë; për hir të brezave që do të vijnë”, ka shkruar ai.
Kryeqyteti i Lituanisë ka nisur përgatitjet për të pritur Presidentin e SHBA, Joe Biden dhe anëtarë të tjerë të aleancës, ndërsa samiti i NATO-s mbahet në një kohë kur pushtimi rus në Ukrainë vijon.























