Aksident me fatalitet në Kishnicë, humb jetën një 49-vjeçar
Valjeta Shala | RTK
Një person e ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të ndodhur sot në mëngjes në magjistralen Prishtinë-Gjilan, përkatësisht në fshatin Kishnicë. Lajmin për RTK-në e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 09:00, është pranuar informata për një aksident trafiku rrugor të ndodhur në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjilan, respektivisht në fshatin Kishnicë. Nga informatat e para bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë një veturë dhe një kamion dhe si pasojë një person, mashkull, 49 vjeç, ka humbur jetën”, ka theksuar Borovci.
Sipas tij, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr masat e nevojshme për lehtësimin e qarkullimit rrugor si dhe ka nisur punën për hetimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te ky aksident me fatalitet.























