Prokurori Pache: Nuk është e nevojshme që “Remi” të vijë këtu
BKT
Gjykata Speciale

Prokurori Pache: Nuk është e nevojshme që “Remi” të vijë këtu

Donika Sherifi/RTK

Në cilësinë e dëshmitarit në Dhomat e Specializuara në Hagë, gjatë kësaj jave do të ulet komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Zona e Llapit, Rrustem Mustafa –Remi, në rastin ndaj krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Pikërisht dëshmia e tij, i cili vite më parë kishte dëshmuar në Hagë, ka shkaktuar përplasje mes mbrojtjes dhe Prokurorisë, pasi kjo e fundit ka kërkuar që të merren parasysh dëshmitë e mëparshme në mënyrë që të kursehet koha.

Prokurori James Pache kërkoi që dëshmitari të mos pyetet për ato që ka thënë më parë, pasi sipas tij, ky dëshmitar i ka konfirmuar të gjitha në seancën përgatitore.

“Nuk është e nevojshme që ky dëshmitar të vijë këtu, t'i përsërisë të njëjtat informacione identike për 6 orë a më shumë, kur qartë i ka konfirmuar ato që ka thënë. Interesi i drejtësisë është të pranohet informacioni që ka dhënë”, deklaroi prokurori James Pache.

Kërkesën e Prokurorisë e kundërshtoi mbrojtja e të akuzuarve.

“Nëse dëshmitari thotë se unë nuk kam thënë asgjë të ndryshme në seancën përgatitore, po fakti që dëshmitari në vetvete nuk dëshiron të thotë gjëra të tjera më tej se çka ka thënë në deklaratë, kjo nuk do të thotë se deklarata duhet të pranohet sipas rregullës 154. Ne nuk identifikojmë logjikën pse po ndodh kjo, dhe pse kërkohet që deklarata të pranohet në këtë mënyrë”, tha Luka Misetiq, avokat i Hashim Thaçit.

Reagim pati edhe mbrojtësi i Kadri Veselit, Andrew Strong.

“Ne mendojmë që ky dëshmitar është unik dhe dëshmia e tij është problematike. Dhe, do të ishte problematike nëse pranohet dëshmia e tij sipas rregullës 154. Dëshmitari është intervistuar si i dyshuar. Taktikat e intervistës janë të tilla që mund të shërbejnë për të çuar në përfundime të ndryshme”, deklaroi Strong.

Një deklaratë për këtë e ka dhënë edhe Jeffrey Roberts, avokat i Rexhep Selimit.

“Nga perspektiva e Prokurorisë kjo intervistë është bërë 4 vjet më përpara dhe ka një kohë të gjatë ndërhyrjeje kur mund të ishin bërë diskutime e kërkesa të tjera, dhe mund të kishim konstatuar mënyra se si të merremi me dëshmitarin në fjalë, por ZPS nuk e bëri punën e vet”, deklaroi ai.

Pas debatit, në seancë nisi dëshminë e tij dëshmitari i 12-të i Prokurorisë, për të cilin foli prokurori. Sipas prokurorit, në gusht të 1998-s ky dëshmitar ishte marrë nga ushtarët e UÇK-së dhe ishte keqtrajtuar. Seanca vazhdoi kryesisht e mbyllur, derisa gjykimi vazhdon të martën.

 

 


MË SHUME NGA Gjykata Speciale