Dy pjesëtarë të FSK-së diplomojnë në Universitetin e Mbrojtjes në Turqi
BKT
Lajme

Dy pjesëtarë të FSK-së diplomojnë në Universitetin e Mbrojtjes në Turqi

F.S / RTKlive

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Major Bashkim Ademi dhe Kapiten Albana Kozniku kanë diplomuar në një ceremoni solemne shtetërore të organizuar në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përmes një postimi në Facebook.

“Të dy pjesëtarët e FSK-së, përpos përkushtimit dhe disiplinës shembullore të treguar, kanë arritur rezultate të shkëlqyera dhe kanë treguar sukses të jashtëzakonshëm përgjatë kësaj periudhe kohore duke e prezantuar Kosovën, veçanërisht FSK-në në mënyrën më të mirë të mundshme", ka thënë Mehaj.

Ai ka thënë se në këto dy kurse kanë marrë pjesë rreth 120 oficerë, nga 18 shtete të ndryshme të botës.

Mehaj ka bërë të ditur se në këtë ceremoni solemne, ku prezent ishin krerët e shtetit dhe ushtrisë turke, përfshirë presidentin Rexhep Taip Erdogan, mori pjesë edhe Atasheu Ushtarak i Republikës së Kosovës në Turqi, Kolonel Bekim Zejnullahu.

“Kolegji i Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm dhe Kursi i Karrierës për Kapiten kanë për qëllim edukimin, trajnimin dhe zhvillimin e liderëve të së ardhmes. Oficerë të aftë e kompetent për të kryer detyrat me përgjegjësi dhe për të udhëhequr me nder e besnikëri çdoherë”, ka thënë Mehaj.

Ndryshe sipas Mehajt, Major Bashkim Ademi nga 3 tetori i vitit 2022 deri më 7 korrik 2023, ka ndjekur Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë (KKSHP), ndërsa Kapiten Albana Kozniku nga 6 shkurti 2023 deri më 7 korrik 2023, ka ndjekur Kursin e Karrierës për Kapiten (KKK).

“Vlenë të theksohet që Major Bashkim Ademi njëkohësisht ka përfunduar me sukses Programin Master të Studimeve të Mbrojtjes dhe Sigurisë (Defence and Security Studies Master of Arts Program)”, ka shtuar ministri Mehaj.


MË SHUME NGA Lajme