Testi i Arritshmërisë nuk i shpëton kopjimit as këtë vit
BKT
Lajme

Testi i Arritshmërisë nuk i shpëton kopjimit as këtë vit

Ardiana Hajzeri / Radio Kosova

Rreth 24 mijë nxënës, po i nënshtrohen sot pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë. Drejtues të shkollave dhe zyrtarë të ministrisë së Arsimit kanë bërë të ditur se organizimi i testit është i ngjashëm me atë të vitit të kaluar dhe se ky test, ka për qëllim orientimin e nxënësve në klasën e dhjetë.

Pjesa e dytë e Testit të Arritshmërisë po mbahet sot, të cilit po i nënshtrohen rreth 24 mijë nxënës të moshës 15 vjeçare. Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi i tha Radio Kosovës se testi po organizohet në qendrat e caktuara dhe se ky testim shërben për matjen e njohurive të nxënësve dhe orientimin e tyre për regjistrimin në shkollat e mesme të larta.

“Qëllimi i testit është orientimi i nxënësve në klasën e dhjetë. Varësisht prej rezultateve të Testi të Arritshmerisë nxënësit regjistrohen në shkollën e Mesme të Lartë. Mbajtja e testit është e ngjashme si vitin e kaluar”, tha Fatmir Elezi.

Drejtori i gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, Betim Sylejmani, që është njëra ndër shkollat ku po mbahet testimi, tha se nxënësit që po testohen në këtë shkollë vijnë nga shkolla “Naim Frashëri”, “Pjetër Bogdani” dhe shkolla “Emin Duraku. Ai tha se nxënësit presin rezultate të mira.

 “Tashmë pjesa e parë e Testit të Arritshëmrisë ka përfunduar para një jave dhe sot është pjesa e dytë dhe siç po shihet nxënësit janë të përgatitur. Duke ditur që ka pasur probleme gjatë procesit mësimor më vonesa të ndryshme, po besojmë që do të jenë më mirë se vitet e kaluara”, tha Betim Sylejamni.

Megjithatë, si çdo vit, edhe kësaj here, nxënësit kanë krijuar grupe për të kopjuar, ku testi është shpërndarë në rrjetet sociale, ku janë publikuar pyetjet e lëndëve në të cilat po testohen.

Rezultatet e këtij testi pritet të shpallen më 17 korrik.


MË SHUME NGA Lajme