Osmani: Mohimi i gjenocidit ka për qëllim fshehjen e krimeve
M.P. / RTKlive
Presidentja Vjosa Osmani në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, priti në takim deputetin e Dhomës së Përfaqësuesve të Bosnje dhe Hercegovinës ,Šemsudin Mehmedović, zëvendëskryeministren Emilja Rexhepi dhe përfaqësues të komunitetit boshnjak në vend.
Gjatë takimit, presidentja potencoi se Srebrenica është simboli i krimeve gjenocidale serbe dhe se vuajtjen e popullit boshnjak e ndjen ai i Kosovës.
“Presidentja ka thënë se kujtimi për ta është i çdoditshëm, ndërsa ka folur edhe për krimet makabre dhe masakrat e regjimit gjenocidal serb kundër popullit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Tutje presidentja e Kosovës tha se mohimi i gjenocidit të Srebrenicës “ka për qëllim denigrimin e viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera”.
“Në diskutim me deputetin Mehmedović, Presidentja Osmani ka thënë se koordinimi i përbashkët është tejet i rëndësishëm në këtë periudhë kur tendencat për destabilizim dhe minim të paqes janë në rritje, prandaj në këtë drejtim, ka vlerësuar edhe kontributin e jashtëzakonshëm të komunitetit boshnjak në Kosovë si urë ndërlidhëse e këtij koordinimi”, njofton Presidenca e Kosovës.























