Qeveria e Kosovës shpall shtensionimin në veri, redukton policinë për 25%
BKT
Foto: Elmina Osmani / RTK
Lajme

Qeveria e Kosovës shpall shtensionimin në veri, redukton policinë për 25%

Medina Pasoma / RTKlive

Kryeministri Albin Kurti e ka nisur mbledhjen e Qeverisë së Kosovës duke përmendur takimin e Besnik Bislimit me emisarin Lajçak dje në Bratislavë të Sllovakisë. Kurti ka listuar vendimet të cilat janë rënë në dakordim mes të dy palëve, drejt rrugës së de-eskalimit të situatës në veri të vendit.

Njëra nga pjesët më të rëndësishme të këtyre pikave ka qenë largimi i trupave të Policisë së Kosovës nga objektet e komunave në veri dhe përreth tyre. Kjo prej një përqindjeje nga 25% të tyre dhe shpërndarje të tyre në pjesë të tjera.

Gjithashtu, Kurti njoftoi se është marrë vendimi që Policia e Kosovës, së bashku me trupat e EULEX-it dhe KFOR-it, të rishqyrtojë, kohë pas kohe, pakësimin e mëtutjeshëm të prezencës së këtyre trupave.

“Qeveria e Kosovës e shpall publikisht de-eskalimin, për të mos marrë hapa që e de-eskalojnë, reduktimin e menjëhershëm të 1/4 të policëve që gjenden brenda apo në afërsi të komunave, pra 25%. Ata do të zhvendosen diku tjetër në po ato komuna, diku ku ka më shumë nevojë për ta meqenëse konsiderojmë se pranë komunave tash e dy javë është krahasimisht shumë më e qetë”, ka deklaruar Kurti.

Një pikë tjetër e potencuar ka qenë edhe thirrja për zgjedhje të jashtëzakonshme në veri të vendit. “Kjo do të ndodh pas stinës së verës dhe në përputhje me kuadrin ligjor. Për ne si Qeveri e Kosovës vazhdon  të jetë me rëndësi që qytetarët e Kosovës të kenë përfaqësim lokal që i përfaqëson si duhet, por për ta arritur këtë duhet ambienti që mundëson fushatën e mirëfilltë”, ka thënë Kurti.


MË SHUME NGA Lajme