Tahiri kërkon suspendimin e Testit të Arritshmërisë
ShÇ /RTKlive
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Testi i Arritshmërisë dhe Maturës, ka qenë një proces të cilin Ministria e Arsimit e ka mbikëqyrur në mënyrë aspak profesionale dhe kaotike.
Pjesa e dytë e Testit të Arritshmërisë për nxënësit e klasave të nënta u mbajt të martën në tërë Kosovën. Si zakonisht, pati rrjedhjeve të pyetjeve në platforma të ndryshme sociale.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se viktima të këtij procesi të menaxhuar dobët nga MAShT-i, janë vetë nxënësit.
“Është e papranueshme tendenca e MASHT-it për të shpërndarë përgjegjësinë, ku s'i kursyen as nxënësit, për një proces për të cilin nuk siguroi as menaxhim, as mbikqyrje, as informim, as cilësi. Në fakt, nxënësit janë viktima të një menaxhimi të dobët”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Sipas Tahirit, për muaj me radhë nuk pati asnjë informim nga MAShT-i, se cila është rëndësia e Testit të Arritshmërisë dhe Maturës, “sikurse nuk kishte as informim as sensibilizim zero, gjithçka rutinë”.
“Përgjatë gjithë kohës nuk pati asnjë debat rreth asaj se si mund të përgatiteshin më mirë nxënësit, dhe çfarë mund të bënin mësimdhënësit dhe prindërit në këtë drejtim. Pra as informim as përfshirje, sikur dështimi dhe mosarritshmëria e nxënësve të ishte qëllim. Është e papranueshme tendenca e MASHT-it për të shpërndarë përgjegjësinë, ku s'i kursyen as nxënësit, për një proces për të cilin nuk siguroi as menaxhim, as mbikqyrje, as informim, as cilësi. Në fakt, nxënësit janë viktima të një menaxhimi të dobët”, ka shkruar Tahiri.























