Analistët: Qeveria u vonua në kërkesat e BE-së dhe ShBA-së
Albana Bajrami / Radio Kosova
Pas vendimit të Qeverisë për shtensionimin e situatës në veri të vendit, duke zvogëluar numrin e policisë atje dhe për të shpallur zgjedhje në katër komunat, njohësit e çështjeve politike, thonë se tani priten hapa pozitivë drejt normalizimit të situatës në vend.
Por, sipas tyre, kërkesat e BE-së dhe ShBA-së, ishin pikërisht këto pika, për të cilat, siç thanë, qeveria u vonua shumë.
Analisti Artan Muhaxhiri tha për Radio Kosovën se nuk ka mundësi tjetër normalizimi, përveç bashkëpunimit të plotë me ShBA-në, BE-në dhe NATO-n, derisa theksoi se ky ndryshim i veprimeve të qeverisë është i mirëseardhur.
“As Kosova e as Serbia nuk e kanë luksin që të hyjnë në beteja afatgjate politike me BE-në, sepse kështu e dëmtojnë të ardhmen e tyre evropiane. Mirëpo, politikanët populistë i humbin kohë vendeve të tyre respektive, ndërkohë që në fund prapë se prapë vinë në pikën e bashkëpunimit të domosdoshëm me BE-në. Nuk ka rrugë tjetër përveç bashkëpunimit dhe harmonizimit të veprimeve me BE-në. Edhe Kosova, edhe Serbia do të dënohen me bllokim të rrugës së tyre evropiane nëse nuk dëshmohen si konstruktive. Prandaj të gjitha këto aventura që kemi parë muajve të fundit në veri, si nga pala kosovare ashtu edhe nga pala serbe, nuk mund të jenë afatgjate, sepse dëmi do të jetë shumë i madh edhe për politikanët edhe për shoqëritë që ata përfaqësojnë”, ka thënë Muhaxhiri.
Ndërkohë, politologia Arta Tahiri, tha për Radio Kosovën se këto pika që u morën vendim nga qeveria, kanë qenë pikërisht ato që janë kërkuar me kohë nga Bashkimi Evropian e ShBA-të, derisa tha se janë të vonuara pasi solli situata jo të favorshme për Kosovën.
“Nëse është dashur të tërhiqet nga objekti i komunës, kryetari i zgjedhur, do të duhej të bëhej më herët pasi ishte një nga kërkesat e kamotshme, se sa të de-eskalonte situata dhe të mendohej e të krijohen masa apo sanksione ndaj Kosovës. Mendoj dhe besoj që me këto katër pika, që sigurisht janë pozitive, do të bëhet një situatë më normalizuese në veri të vendit dhe mund të vazhdohet me bisedime në faza të tjera, që mund të sjellin sigurisht rezultate të tjera’, ka thënë Tahiri.
Ndërkohë, për dy javë duhet të përfundojnë katër hapat e dakorduar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të vendit.























