Sërish tensione në Kuvend, PDK vendos pankarta në sallë
Medina Pasoma / RTKlive
Mbajtja e seancës së Kuvendit të Kosovës po pamundësohet për shkak se PDK-ja ka rivendosur pankarta.
Pankartat të cilat po i mbajnë në duar deputet nga radhët e PDK-së janë me fotografi të kryeministrit Albin Kurti dhe shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari - Lila me hund të zgjatur dhe me mbishkrimin "Zdravo".
Pas kësaj në sallën e kuvendit sërish pati përplasje, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, kanë pasur një përplasje ndërmjet vete. Me këtë rast, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka ftuar sigurimin e Kuvendit të ndërhyjë edhe një herë në seancën plenare.
Përpasje ka pasur edhe ndërmjet disa deputetëve të tjerë të këtyre dy partive.
Më heret kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka marrë fjalën dhe ka thënë se është thirrur një seancë e jashtëzakonshme prej 41 deputetëve. Kjo megjithatë u kundërshtua nga deputetët e opozitës, të cilët sërish mblodhen para foltores, duke mos lejuar zhvillimin e seancës.
Ndryshe, sot në seancën e Kuvendit, derisa kryeministri Kurti po fliste në Kuvend për çështjen e veriut, ndaj tij u hodh ujë nga deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, gjë që shkaktoi përleshje fizike mes deputetëve dhe ministrave të pranishëm në Kuvend.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, nëpërmjet një njoftimi bënë të ditur se Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”, sipas KPRK-së, lidhur me incidentin i cili ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës.























