Mehaj e Pamuk flasin për bashkëpunimin në fushën ushtarake
F.Sertolli / RTKlive
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se ka takuar këshilltarin bilateral të sapocaktuar të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, kolonel Mustafa Pamuk, me të cilin siç ka thënë ai, ka diskutuar për bashkëpunimin në fushën ushtarake me Forcat Turke.
Gjithashtu, Mehaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me kolonel Mustafa Pamuk ka diskutuar edhe për implementimin e Planit Bilateral, ristrukturimin e Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe rëndësinë e aprovimit dhe zbatimit të dy marrëveshjeve me Republikën e Turqisë në fushën e trajnimeve, shkollimit akademik dhe shkëmbimit të përvojave.
“Si shtet partner i yni, duke vlerësuar gjithashtu dhe angazhimin e oficerëve turq në kuadër të Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s, do të vazhdojmë punën në drejtim të avancimit të FSK-së dhe sigurisë së vendit”, ka thënë ministri Mehaj.























