Kuvendi ka vendosur për rithemelimin e Institutit për Krime të Luftës
BKT
Lajme

Kuvendi ka vendosur për rithemelimin e Institutit për Krime të Luftës

F.Sertolli / RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një postim në Facebook me rastin e rithemelimit të Institutit për Krime të Luftës, ka thënë se Kosova ka përjetuar dëme shkatërruese.

“Falënderoj secilën e secilin deputet që me votën e tyre po e jetësojmë Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, që do të adresojë krimet e Serbisë në luftën e viteve 1998-1999. Kemi përjetuar dëme shkatërruese që asnjëherë nuk i kemi matur tamam. As 24 vite pas, nuk kemi shifra që do të mund të na tregonin dëmet nga lufta në vendin tonë”, ka thënë Kurti.

Tutje ka thënë ai se dëmet e shkaktuara dhe vuajtjet e përjetuara nuk janë statistika, por duhen edhe statistikat për ta kuptuar përmasën e padrejtësisë.

“Për të pasur një hartë të detajuar mbi të gjitha krimet e luftës se ku, çka, si dhe ndaj kujt u ushtruan ato krime në luftën e fundit. Për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive, e cila do të na shërbejë edhe neve edhe brezave pas nesh”, tha ai.

Kurti ka thënë se Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe veprimet gjenocidale të kryera në Kosovë.

“Republika e Kosovës nuk mund të harrojë.”, ka thënë i pari i qeverisë.


MË SHUME NGA Lajme