Hollywood në grevë, shkak telashet me Inteligjencën Artificiale
BKT
Foto: Getty Images
Kulturë

Hollywood në grevë, shkak telashet me Inteligjencën Artificiale

Medina Pasoma / RTKlive

Hollywoodi i dha dritën e gjelbër një pauze e cila s’dihet se sa do të zgjas. E kjo nuk i ngjan një pushimi, por një revolte që vjen në formën e grevës. Është e tillë që bën histori pas funksionimit të rregullt për më shumë se 60 vjet, kësaj radhe aktorë, skenaristë e punëtorë të kinematografisë i janë bashkuar thirrjes.

Ekranet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë mbetur pa filma dhe produksione televizive. Kjo nënkupton ndaljen e punës për 160,000 interpretues. Arsyjet janë koherente: në njërën anë diçka që e shoqëron çdo sektor në çdo kohë – kushtet financare dhe të punës. E në anën tjetër diçka krejt e re për botën: inteligjenca artificial (AI) dhe ndikimi i saj për humbjen e punës për shumë artistë botëror nëpërmjet përdorimit të imazhit e zërit të tyre.

Sindikata po kërkon që pikërisht ky pushtim teknologjik mos të jetë rrezik deri në zëvendësim të plotë të aktorëve. Mobilizimi për këtë qe i jashtëzakonshëm. Përveç reagimeve në rrjete sociale (Bob Odenkirk e Jamie Lee Curtis), kjo grevë shkaktoi edhe lënie premierash nga yjet Cillian Murphy, Matt Damon dhe Emily Blunt për “Oppenheimer” të Christopher Nolan në Londër.

Në këtë mes të zhurmshëm, disa studio kanë thënë idenë për kërkimin e pëlqimit të aktorëve për përdorimin dhe shumëfishimin e karakteristikave të imazhit të tyre.

"Ata propozojnë që interpretuesit tanë duhet të jenë në gjendje të skanohen, të paguhen për pagën e një dite dhe kompania e tyre duhet të zotërojë atë skanim të imazhit të tyre, ngjashmërinë e tyre dhe duhet të jetë në gjendje ta përdorë atë për pjesën tjetër të përjetësisë", tha drejtori ekzekutiv kombëtar i SAG dhe kryenegociatori, Duncan Crabtree-Ireland si përgjigje negative ndaj kësaj ideje, transmeton BBC.

Writer strike

Tashmë në SHBA gjithçka me vulë kinematografike ka mbetur pezull. Filmat e prodhimet televizive kanë ndalur transmetimin, ato të cilat janë xhiruara nuk mund të plasohen në treg ndërkaq as s’mund të nisen bashkëpunimet e reja. Por, përtej kësaj kjo nënkupton sfidë financiare për vet komunitetin artistik.

Propozimet në këtë drejtim janë të shumta, por se kur do të riçel rikthimi kinematografik, ende nuk dihet.


MË SHUME NGA Kulturë