Merret vendimi, Salla e Kuqe në Pallatin e Rinisë do të renovohet
Medina Pasoma / RTKlive
Salla e Kuqe në Pallatin e Rinisë në Prishtinë së shpejti do t’iu nënshtrohet renovimit. Lajmin e kanë bërë të ditur departamenti i mediave nga Pallati i Rinisë.
Është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mes këtij institucioni dhe me kryeshefin e Ndërmarrjes Publike Banesore, Artan Berisha.
Kryeshefja e këtij institucioni, Mrika Gashi Macula, gjatë takimit ka theksuar domosdoshmërinë për rinovimin e kësaj salle, e cila është pothuajse e vetmja adresë për artistët vendor për të zhvilluar aktivitetet e tyre.
“Ka qenë një nga vendimet e para që kam marr sapo kam ardhur në krye të NPL Pallatit të Rinisë, është emergjente t’i japim kësaj salle pamjen dinjitoze dhe jam e lumtur që kësaj nisme iu bashkangjitur menjëherë dhe z. Artan Berisha, sepse në këtë mënyrë iu ofrojmë qytetarëve dhe artistëve tanë kushte adekuate dhe një standard në salla koncertale si kjo”, thuhet në komunikatë.
























