Kundera, ose `Piktori sarkastik i shpirtit njerëzor`
Arben Veselaj /RTK-Radio
Në fillim të kësaj jave mediat botërore njoftuan se në moshën 94- vjeçare ndërroi jetë shkrimtari francez me prejardhje çeke, Milan Kundera.
Kundera qe njëri prej shkrimtarëve më të njohur botërorë të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI.
Jetëshkrimi i suksesshëm i Milan Kunderës lidhet me shumë vepra në poezi e në prozë që nisi t’i botonte në gjuhën çeke, në fillim të viteve ‘50-të të shekullit të kaluar, sidomos me romanet: “Shakaja” (1967) dhe “Libri i të qeshurave dhe harresës” (1979).
Në atë kohë Kundera mbante leksione të letërsisë botërore në njërin nga universitetet më prestigjioze të Pragës, por herë pas here konfrontohej me autoritetet e censurës komuniste, për shkak të kontrollit dogmatik që ushtrohej në letërsi.
Në vitin 1979 autoritetet çekosllovake ia hoqën Kunderës të drejtën e nënshtetësisë, si ndëshkim për librin e tij “Lehtësia e papërballueshme e qenies”, i cili atëkohë u ndalua, por e pa dritën e botimit në gjuhën frënge, në Paris, më 1984.
Famën botërore Kundera e arriti relativisht vonë, pas arratisjes në Francë, në fund të viteve ‘70-të, me romanet si: “Lehtësia e papërballueshme e qenies” (1984), “Pavdekësia”, “Jeta është diku tjetër”, “Identiteti” etj.
Në botën shqiptare Kundera u bë i njohur relativisht vonë. Pak vite më parë (2015) përkthyesja e mirënjohur, Mira Meksi, e pati përkthyer romanin “Identiteti” - vepër e cila, në njëfarë mënyre, është edhe reprezentative e këtij shkrimtari në mbarë botën. Për shkak të kësaj vepre kritika perëndimore e ka quajtur Kunderën “piktori sarkastik i shpirtit njerëzor”.
Tema e madhe e letërsisë, identiteti, në romanin e Kunderës me të njëjtin titull, është një eksplorim filozofik i misterve të shpirtit njerëzor, ose një “hetim” i aspekteve të ekzistencës njerëzore.
Dilemat e njeriut të sotëm për nevojën ose mosnevojën e humbjes së identitet, Kundera na i jep përmes një historie dashurie mes një gruaje - Shantalisë (Chantal) dhe një burri - Zhan Markut (Jean-Marc), të cilët, përgjatë disa javëve romantike në Normandi, arrijnë të kuptojnë se si, krejt befas njeriu mund ta humbas identitetin e tij, aq sa të harrojë se ku ndodhet kufiri mes racionales dhe joracionales.
Shantalia jeton me dy personalitete: për dashnorin saj të ri – Zhan Markun është një grua e sinqertë dhe antikonformiste, por për të tjerët - një hipokrite e paskrupullt dhe konformiste. Këto dy fytyra që ajo është e shtrënguar t’i përdor në jetën e saj, jo rrallë e ngatërrojnë keq, aq sa e vënë edhe në dilema të çuditshme: a më mirë të ishte ajo që ishte, apo ajo që pretendonte se ishte?
(Për më shumë rreth Kunderës dhe veprës “identiteti”, ndiqeni emisionin “Libri”, në Programin 1, RTK-Radio, sonte (e premte, 14.07.2023), duke filluar nga ora 21:05, në valët 95.7 MHz dhe në internet:http://www.rtklive.com/sq/livestream/radiokosova)























