Analistët thonë se ngjarjet e fundit në Kuvend janë për keqardhje
Pajtim Çuni/ Radio Kosova
Zhvillimet e djeshme në Kuvendin e Kosovës, ku pati rrahje ndërmjet disa deputetëve të PDK-së opozitare dhe disa ministra, janë për keqardhje dhe i bëjnë dëm të vendit.
Kështu thonë për Radio Kosovën analistë politikë, sipas të cilëve pozita dhe opozita duhet t’i tejkalojnë inatet dhe të fillojnë bashkëpunimin në interes të vendit dhe qytetarëve.
Si asnjëherë tjetër që nga themelimi i Kuvendit të Kosovës, dje, u rrahën me grushte disa nga deputetët e PDK-së opozitare dhe disa ministra. Duke komentuar ndodhitë e djeshme në Parlament, njohës të zhvillimeve politike thonë për Radio Kosovën se ajo çka ndodhi ishte për keqardhje dhe është në dëm të vendit.
Sipas analistit politik, Gurakuç Kuçi, ngjarjet e djeshme në Kuvend ishin të parapërgatitura dhe shpërfaqin akumulimin e përplasjeve të vazhdueshme mes pozitës dhe opozitës.
“Ngjarjet e djeshme aspak nuk i bëjnë mirë Kosovës, kur dijet se për momentin e gjithë vëmendja e vendeve që kanë interesim për çështjen e Kosovës është e orientuar drejt Kosovës. Dhe, ajo që ndodhi në Kuvend i bën dëm Kosovës në arenën ndërkombëtare duke shfaqur një fytyrë jo të mirë dhe duke i dhënë Serbisë shumë më shumë adute që të kundërshtoj çështjen e Kosovës dhe avancimin e saj në marrëdhëniet ndërkombëtare”, tha ai.
Analisti politik, Artan Muhaxhiri, po ashtu, thotë se dhuna fizike që u shfaq dje është pasojë e një dhune verbale që ka qenë prezentë prej kohësh në raportet pozitë-opozitë.
“Ngjarjet e djeshme shpalosën fytyrën e vërtetë të kësaj legjislature të çuditshme, nga e cila është pritur shumë por është bërë pak. Vetë fakti se Kuvendi në shumicën e rasteve ka problem sigurimin e kuorumit për votim, çka është baza elementare e punës e tregon më së miri se çka mund të presin qytetarët nga këta deputetë”, tha ai.
Analistët Muhaxhiri e Kuçi thonë se pas zhvillimeve të djeshme mund të përshkallëzohen edhe më tej raportet mes pushtetit dhe opozitës. Por, sipas tyre, për interes të vendit është e domosdoshme tejkalimi i inateve dhe të fillojnë bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve.























