Kosova ende nën masa të BE-së
Gjeraqina Tuhina / RTK / Bruksel
Bashkimi Evropian ende nuk ka konfirmuar se kur do të fillojë heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat u vunë pas tensioneve në veri të vendit. Ndonëse është arritur marrëveshja për shtensionim të situatës, Kosova vazhdon të jetë nën masat e BE-së.
Marrëveshja të cilën e arriti emisari evropian, Miroslav Lajçak dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në Bratisllavë, nga diplomatët e këtushëm cilësohet si “hap në drejtim të duhur”, por nënvizohet se priten edhe hapa tjerë nga Prishtina zyrtare.
Diplomatët nga shtetet anëtare sigurojnë se këto masa të vendosura në qershor, nuk do mbesin në fuqi as një ditë më gjatë se sa duhet mirëpo se të njejtat kanë qenë të domosdoshme për shkak të mospërfilljes së kërkesave ndërkombëtare nga ana e qeverisë së Kosovës.
Ndërkohë në lidhje me mundësinë eventuale te heqjes së masave, një zëdhënës i BE-së në një përgjigje me shkrim dërguar medieve, vetëm ka nënvizuar se Procesi po vazhdon dhe se nuk kanë asgjë për të shtuar pos asaj, që në një postim ka thënë shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell kur ai e ka mirëpritur përkushtimin e Kosovës, por ka shtuar se pret nga Kosova hapa tjerë pozitivë për të vazhduar avancimin në këtë drejtim.
Ky zëdhënës konfirmoi sërish se javën tjetër me ftesë të të dërguarit të posaçëm Miroslav Lajçak, do zhvillohet një takim në mes të Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve ku do të duhej të zhvillohen diskutime për zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e implementimit.























