Kërkohet paraburgim për 7 të dyshuar
M.Miftari/RTKlive
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj shtatë të pandehurve me inicialet N.Xh., B.B., I.S., R.C., F.Z., J.V. dhe A.S., të cilët, me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.
Përmes një njoftimi për media bëhet e ditur se në bazë të kërkesës së prokurorisë, për të pandehurin N.Xh., ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale: “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, dhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare nga nen 386 par.1 nënpar.1.5 të KPRK-ës.
Ndërkaq, për të pandehurin B.B., sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale: “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, paragrafi 1 të KPRK-ës, si dhe “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 380, paragrafi 1 të KPRK-ës, gjithashtu edhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, nga nen 386, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3, të KPRK-së.
Ndërsa, për të pandehurin I.S., prokuroria sqaron se ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale: “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.
Tutje, për të pandehurin J.V., Prokuroria njofton se ekziston dyshimi i bazuar se ka veprën penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” si dhe “Marrja e ryshfetit”.
Kurse, ndaj të pandehurit me inicialet F.Z., ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-ës.
Më tej, Prokuroria bën të ditur se ndaj të pandehurit me inicialet R.C., ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale: “Ushtrimi i ndikimit”, derisa ndaj A.S., sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale: “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, paragrafi 2, të KPRK-së.























