LDK kërkon përgjegjësi politike për përgjimet e fundit
BKT
Lajme

LDK kërkon përgjegjësi politike për përgjimet e fundit

E. Hoti / RTKlive

Lidhje Demokratike e Kosovës ka kërkuar përgjegjësi politike pas publikimit të përgjimeve ku përfshihet në bisedë shefja e grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë është diskutuar për zhvillimet e fundit politike, derisa LDK thuhet se ka vlerësuar se "vëmendja duhet të kthehet në normalizimin e situatës në veri dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit".

“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon edhe njëherë pamjet e shëmtuara të dhunës në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe refuzon dhunën si mjet. LDK kërkon përgjegjësi politike për skandalin e publikuar të përgjimeve ku pushteti dhe eksponentë të lartë të tij kanë komunikuar me kriminelë që janë në listën e zezë të SHBA-ve dhe tendencat e tyre për ndërhyrje në procesin e drejtësisë si dhe përgjegjësi lidhur me arrestimet e njerëzve të pushtetit të dyshuar për korrupsion”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Sipas LDK-së, është jetike që vëmendja e institucioneve të Kosovës të kthehet tek sfidat e përditshme të qytetarëve.

“Nga të gjitha skandalet e partisë në pushtet qytetarët janë harruar, prandaj është jetike që vëmendja e institucioneve të Kosovës të kthehet tek sfidat e tyre të përditshme”, thuhet në njoftim.

LDK thotë se do të vazhdojë konsultimet me grupe të ndryshme shoqërore në kuadër të nismës drejt rrugës së re; në ndërtimin e masës kritike për ruajtjen e demokracisë, mendimin e lirë e orientimin euroatlantik, si projekt i pandryshueshëm i Republikës.

“Kosova duhet të kthehet në binarët e saj, prej ku pushteti populist e ka larguar duke e futur vendin në sanksione për t'u zmbrapsur pastaj në pikën që LDK ka insistuar në vazhdimësi”, thuhet më tej në njoftim.


MË SHUME NGA Lajme