Sveçla: Qytetarët të mos bien në grackën e luftës hibride të Serbisë
BKT
Lajme

Sveçla: Qytetarët të mos bien në grackën e luftës hibride të Serbisë

Uran Krasniqi / RTKLive

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po e humb betejën në terren me kryeministrin Albin Kurti, prandaj është duke iu kthyer luftës hibride që përmes mekanizmave që ka në kontroll të tentojë të nxisë trazira në Kosovë.

“Ai po e humb ndikimin në veriun e Kosovës sepse i janë arrestuar kriminelët kryesorë, i janë mbyllur rrugët e kontrabandës dhe i janë shkatërruar laboratorët e drogës e fermat e kriptovalutave. Atij po i dobësohen krahët sepse dora e djathtë e tij dhe njeriu kryesor që mban lidhjen me Moskën, Aleksandër Vulin, para ca ditësh iu sanksionua nga SHBA”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Tutje ministri Sveçla ka thënë se Belgjika dhe Britania e Madhe ia suspenduan licencat për prodhimin e armatimit, nën dyshimet se kishte furnizuar me municion e armatim edhe Rusinë e sanksionuar, teksa në Beograd, çdo të shtune, tash e disa javë ka protesta masive që kërkojnë dorëheqjen e tij, e që duket se protestat nuk do të ndalen.

“I gjendur në një situatë të tillë, ku pozicioni i tij karshi Kosovës po dobësohet dita ditës, me sa duket Vuçiqi ka vendosur që t’i kthehet luftës hibride, që përmes dezinformatave, shpifjeve, krijimit të frikës e mosdurimit, të provojë të nxisë pakënaqësi e trazira edhe në Kosovë. Kjo nuk ka qëllim forcimin e pozicionit negociues të Vuçiqit, por dobësimin e pozicionit të Kurtit”, ka theksuar Sveçla.

Ai më tej ka shkruar edhe për përgjimet e publikuara gjatë javës ku protagoniste ishte Mimoza Kusari Lila si dhe për protestën e thirrur për sot të veteranëve të UÇK-së, të cilat i ka ndërlidhur me luftën hibride të Vuçiqit.

Sipas tij “bisedat e zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiqit, nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë”.

“Dhe tani si rezultat i keqinterpretimeve të qëllimta e patëm një skenë dhune të provokuar në parlamentin e Kosovës, dhe si të mos mjaftonin ato skena që portretizuan Kosovën si vend jostabil në të gjitha mediat ndërkombëtare, sot ka edhe një protestë të thirrur para qeverisë. Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njëjtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiqit", ka shkruar Sveçla.

Sipas tij është edhe më e çuditshme që protesta është thirrur nga dy gazetarë në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, e që sipas tij "të gjithë i dinë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë".

Ai në fund të postimit ka thënë se mbetet të shihet nëse sot qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë.


MË SHUME NGA Lajme