Abdixhiku i reagon Sveçlës: Deklaratë e pamatur, nxitëse e ofenduese
BKT
Lajme

Abdixhiku i reagon Sveçlës: Deklaratë e pamatur, nxitëse e ofenduese

B. H. | RTKlive

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka quajtur të pamatur, nxitëse e ofenduese deklaratën e sotme të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të publikuar në Facebook.

“Etiketimi i pabazë i gazetarëve e ofendimi i turpshëm i luftëtarëve - edhe nëse s’pajtohemi me ta - është nivel i ri i ulët i politikëbërjes në Republikë. Të injorosh komunikimin e shefes së partisë me një terrorist, e të ndërtosh gjuhë nxitëse e përplasëse me plot imagjinatë është maskaradë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Sipas tij një gjuhë e tillë kërkon përplasje, dhunë e krizë, teksa ka thënë se vendit i duhet politikanë që distancohen nga një mendësi e tillë, siç e ka quajtur ai ‘primitive’.

“Duket se mendja e pushtetit është mu në dhunë e krizë.  Sot, megjithatë na duhet maturi. Na duhen mendje të urta, që afrojnë e s’ndajnë. Sot, mbi të gjitha na duhen politikanë që distancohen nga një mendësi primitive e tillë. E mendësia e tillë meriton veçse shkarkim. Asgjë më pak”, ka shtuar kreu i LDK-së.

Abdixhiu ka përsëritur se Kosova duhet ta bëjë një rrugë të re dhe se dhuna e nxitja e saj, nuk kanë vend.

Ky reagim i kreut të LDK-së vjen pasi ministri Sveçla në një postim në Facebook u shpreh i habitur se si protesta e thirrur për sot e veteranëve të UÇK-së qëlloi të jetë e organizuar në kohën e njëjtë me protestën kundër Vuçiqit në Beograd.


MË SHUME NGA Lajme