Lladrovci për Van Damme: Do t’i pëlqej Kosova, shoqërohet me shqiptarë
M.P. / RTKlive
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar për ardhjen e sotme të aktorit të filmave aksion, Jean-Claude Van Damm. Ai në postimin e tij në instagram theksoi se ylli kinematografik kishte deklaruar disa herë se ka miq shqiptarë.
“Besoj se do t'i pëlqej Kosova, pasi me dekada është në shoqëri të vazhdueshme me shqiptarët në botën e filmit dhe jetën e përditshme”, ka shkruar Lladrovci.
Tutje ai tha se në shenjë respekti, Van Damme, i cili vjen sot, kishte bërë edhe shqiponjën disa herë.
Ardhjen e tij po e mundëson një kompani zvicerane e orëve. Lajmin e ka konfirmuar vet ai nëpërmjet një video.
"Shumë shpejt do të jem në Kosovë në mes të 16 dhe 20 korrikut", ka thënë ai në video.
Ende nuk dihet agjenda që do ta ketë artisti gjatë qëndrimit në vend.
Jean-Claude Camille François Van Varenberg është aktor luftarak, regjisor dhe koreograf luftarak belg. Rrugëtimi i tij nis në moshën 10 vjeçare, ku babai i tij e regjistroi në klasat e arteve marciale. Rrugëtimin me film e nisi në SHBA në vitin 1982. Ndër filmat e tij më të njohur janë “Bloodsport”, “Timecop”, “Universal Soldier”, “Hard Target”, “Kickboxer”. Gjithsej ka luajtur në mbi 50 filma.























