Curri thotë se më vështirë është të jesh trajner se sa futbollist
Shumë më vështirë është të jesh trajner se sa futbollit, mendon Debatik Curri.
Tridhjetë e nëntë vjeçari është dikush që i ka provuar të dyja: ai është ish-futbollist i Kombëtares shqiptare dhe tash trajner i Prishtinës.
Për dallimin Curri ka folur në emisionin "Verë n'RTK" me gazetaren Qëndresa Krelani.
"Unë kam luajtur në nivel të lart dhe si futbollist është shumë më lehtë: mendon vetëm për veten, si të performosh sa më mirë. Kur je trajner është më vështirë, janë tridhjetë lojtarë dhe ke karaktere të ndryshme, të cilët duhet të dish t'i menaxhosh. Unë kam mësuar shumë fillimisht si ndihmës, pasiqë për katër vite kam qenë ndihmës i disa trajnerëve në Prishtinë dhe më erdhi një propozim nga klubi, ku më dhanë besimin për ta udhëhequr skuadrën në këto ndeshjet e fundit, që nga gjysmëfinalja e Kupës kundër Ballkanit dhe mendoj që me plot meritë e fituam edhe Kupën e Kosovës", ka thënë Curri. "Kjo ishte një nisje shumë e mirë për mua si trajner i ri".
Curri ka treguar se e ka ndjerë shumë fanellën e Kombëtares shqiptare, duke shtuar se po t'i duhej të zgjidhte mes fanellës kuq e zi dhe Kupës së Kosovës të fituar me Prishtinën, ai do ta zgjidhte fanellën. Ish-futbollisti ka thënë se shpreson që një ditë të jetë trajner i Kosovës.























