Tahiri: Mospjesëmarrja e Kurtit në Tiranë, tregon logjikë autoritare
E. Hoti / RTKlive
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se Qeveria Kurti po vazhdon eksperimentimin si në rrafshin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Mospjesëmarrjen e Kurtit në Tiranë e ka quajtur logjikë autoritare.
“Mos shkuarja e kryeministrit të Kosovës në një takim joformal i ftuar nga kryeministri i Shqipërisë tregon logjikën inatçore e autoritare të një njeriu që e udhëheqë Kosovën”, ka theksuar ai.
Në një konferencë për media të hënën, Tahiri ka thënë se në rrafshin e brendshëm Kosova kurrë nuk ka qenë më me pak sovranitet. "Një pjesë e Kosovës është në duar të askujt. Kemi dy kryetarë që janë mbyllur tash e një muaj dhe kemi një vend i cili në fakt nuk ka sundim të ligjit”, ka thënë ai.
Tahiri tha se për arsye të mosveprimit nga ana e Qeverisë ekziston rreziku që veriu i vendit të kthehet në një zonë në rezolutën 1244.
“Mosveprimi i qeverisë, taktizimi dhe mungesa totale e strategjisë për atë pjesë të Kosovës është duke e dobësuar dhe e trajton çështjen e saj në formë eksperimentale”, ka thënë Tahiri.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së foli edhe për Ligjin për pagën minimale. Sipas tij, zyrtarët shtetërorë, ata në administratë të shtetit, policët dhe mjekët kurrë nuk kanë qenë më të dobët, më të varfër dhe nuk kanë pasur më pak siguri juridike.
Tahiri u shpreh se në rrafshin e drejtësisë në punë kurrë nuk ka pasur më pak drejtësi edhe në sektorin privat.
“Nuk kanë asnjë të drejtë dhe kjo e drejtë iu ka shkelur në mënyrë flagrante edhe me Ligjin për pagën minimale me një mashtrim të paskrupullt ku thuhet se paga minimale është rritur. I bëjë pyetje publike kryeministrit dhe ministrit të financave le të më gjejnë vetëm një të punësuar në sektorin privat që në tre muajt e fundit ka marr rrogë më pak se 260 euro. Nuk ka më rrogë nën pagën minimale prej 260 eurosh. Paga minimale është dashur të jetë 400 euro aq sa e ka kërkuar AAK”, ka nënvizuar Tahiri.
Sipas tij, ky ligj ka pasur qëllim të margjinalizojë kategorinë e veteranëve të luftës dhe paraplegjikët e tetraplegjikët.
Ai tutje shtoi se në rrafshin e jashtëm Kosova është vend i barabartë me shtetet autoritare. “BE-ja e ka sanksionuar Kosovën, SHBA-të kanë marrë masa të drejtpërdrejta ndaj Qeverisë tonë”, theksoi ai.























