Szunyog: KQZ-ja do ta ketë mbështetjen e BE-së
BKT
Lajme

Szunyog: KQZ-ja do ta ketë mbështetjen e BE-së

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka pritur sot në takim shefin e Zyrës së BE-së dhe, njëherit përfaqësues i posaçëm i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Bëhet e ditur se, në këtë takim, Radoniqi ka mirëpritur përfundimin e procesit të reformës zgjedhore, ndërsa bisedoi me ambasadorin Szunyog lidhur me angazhimin aktual të KQZ-së për harmonizimin e Rregulloreve Zgjedhore me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili është miratuar në fillim të qershorit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

“Me këtë rast, Radoniqi falënderoi Zyrën e BE-së në Kosovë që është bërë pjesë e këtij procesi. Nga ana e tij, ambasadori Szunyog u shpreh i kënaqur që në reformë zgjedhore janë përfshirë shumica e rekomandimeve të vëzhguesve të Bashkimit Europian, të cilët që nga viti 2013 kanë vëzhguar nga afër proceset zgjedhore në Kosovë”, thuhet në një njoftim për media të KQZ-së.

Po ashtu, Szunyog shprehu gatishmërinë për të vazhduar me mbështetje për KQZ-në në harmonizimin e akteve nënligjore me ligjin e ri.


MË SHUME NGA Lajme