Presidentja Osmani premton se Ligji për pagën minimale do të analizohet
N.M. /RTKlive
(E plotësuar, 17:15) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Ligji për pagën minimale do të analizohet para dekretimit.
Në takimin me përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së i njoftoi ata se Ligji për Pagën Minimale ende ndodhet në Kuvend dhe sapo të vjen në Presidencë do të trajtohet nga ana e ekspertëve ligjorë në Presidencë dhe në përputhje me kompetencat kushtetuese të institucionit të Presidencës.
“Sipas Presidentes Osmani, ky Ligj do të analizohet nga Zyra e Presidentes dhe më pas do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese e ligjore të Presidentes dhe duke pasur parasysh rëndësinë e trajtimit të dinjitetshëm të këtyre kategorive”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Në komunikatë, theksohet se përfaqësuesit e organizatave adresuan shqetësimet e tyre në raport me përmbajtjen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, që u miratua javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës.
OVL-UÇK i kërkon Presidentes të mos e nënshkruajë Ligjin për pagën minimale
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku tha se nga presidentja Osmani kanë kërkuar që ajo të luajë rolin që ka, rolin e unitetit, sepse kjo qeveri është e interesuar të krijojë sa më shumë përçarje, të godet UÇK-në.
“Kjo qeveri është e interesuar të krijojë sa ma shumë përçarje. Godit UÇK-në e krijo sa ma shumë përçarje, ndoshta edhe përfiton vota”, deklaroi Klinaku para gazetarëve pas takimit me presidenten Osmani.
Ndërkaq Xhavit Jashari, nga OVL e UÇK-së, bëri të ditura qëndrimet e tri organizatave të dala nga lufta që janë organizimi i protestave, si dhe bllokimi i punës së Parlamentit.
Ai më tej tha se presidentes Osmanit i shprehëm shqetësimet e brengat e pjesëtarëve të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, duke kërkuar nga ajo që të mos e nënshkruajë Ligjin mbi pagën minimale, ngase, siç tha ai, diskriminon kategorinë e veteranëve të luftës.
Jashari tha se do ta ndjekin rrugën ligjore për ta penguar zbatimin e këtij ligji, por edhe protestat si një e drejtë legjitime ku do të pengojnë hyrjen e deputetëve në Parlament, nga të cilët, siç tha ai, janë fyer skajshmërisht veteranët e luftës së UÇK-së.
Klinaku, mes tjerash, shtoi se veprimet e OVL- UÇK-së nuk ndërlidhen me Presidenten, derisa tha se ajo ka rolin e saj kushtetues që ta ruajë unitetin e popullit.
“Kundërshtimet tona vazhdojnë dhe kemi paralajmëruar se me datën 26 të këtij muaji, do të organizojmë protestën tonë në ditën kur do të mbahet seanca", deklaroi ai.
Ndryshe, ky takim me presidenten Osmani është kërkuar nga veteranët e UÇK-së, pasi, sipas tyre, janë lënë jashtë kategorisë në Ligjin për pagën minimale.























