Analistët komentojnë raportimin e Escobarit në Kongresin amerikan
Sh.G / RTKlive
Në emisionin “RTK PRIME” është diskutuar për raportimin e të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara.
Analisti Drilon Gashi tha se Escobar është treguar i kujdesshëm gjatë raportimit. “Tregoj një kujdes të madh për trashëgimin që SHBA-të kanë në Kosovë dhe që e njohin të gjithë ata që janë pjesëmarrës të këtij komisioni për politikë të jashtme. Do të thosha se nuk ka suksese më të madh të politikës së jashtme amerikane në Ballkan se sa rasti i Kosovës. Sepse Kosova është shteti me demokracinë më të konsoliduar në rajon. Shteti që më së shumti e ka kufizuar ndikimin rus dhe kinez dhe shteti që është më i përkushtuar për anëtarësim në NATO dhe në BE dhe natyrisht Escobar e përkrahë këtë gjë në praktikë dhe këtu mund të ketë qenë më i ashpër në qëndrime për shkak se është vërejtur se për disa pika ka një dallim në qasjen e Qeverisë së Kosovës për t’i zgjidhur disa nga çështjet e dialogut me ato sugjerimet dhe këshillat e SHBA-ve”, theksoi ai.
Duke komentuar dyshimet nga kongresistët nëse po bëhet i njëjti presion edhe ndaj Serbisë, siç po bëhet edhe me Kosovën, Gashi theksoi se këtu lind problemi se nuk po ekziston i njëjti presion edhe ndaj Serbisë si ndaj Kosovës.
“Kjo mund të jetë për shumë arsye, më e thjeshta është se Kosova është partner më i madh dhe vlerësohet të jetë edhe më e dëgjueshme karshi masave kufizuese ndaj BE-së dhe të SHBA-ve se sa Serbi. Çështja tjetër që po e shohim është një tentim për përafrim edhe më të madh të Serbisë me botën perëndimore. Nuk është kjo një politikë e re. Ka një vazhdimësi këtu mirëpo është vërejtur ky interesim, ndoshta arsyeja është që ta tërheqin nga ndikimi rus dhe ai kinez”, tha Gashi.
Kurse, ish kryenegociatori, Avni Arifi, theksoi se ajo çfarë tha Escober ishte një përgjegjësi më e madhe që po i hidhet Kosovës. “Kjo që e tha ai ishte si lloj mbështetje e qëndrimeve të sekretarit Blinken ku përgjegjësin për tensionimin e situatës e la te Kosova”, theksoi Arifi.
Politiologu, Melazim Koci, theksoi se në raportimin e Escobarit hetohet një përpjekje e Washingtonit që të krijoj një barzëpeshë të presionit mbi Prishtinën dhe Beogradin. Por, sipas tij është evidente që presioni ka qenë te Prishtina, nuk ka dhënë rezultat.























