RLIOF gati për Gala Mbrëmjen ‘Ramë Lahaj& Friends’
Medina Pasoma / RTKlive
Teksa kanë mbetur edhe dy ditë deri te nisja e edicionit të tretë të ngjarjes më të madhe operistike në vend, “Ramë Lahaj International Opera Festival”, organizatorët janë duke i bërë përgatitjet e fundit.
Përkushtimi është i dukshëm për çdo natë të festivalit, mirëpo si gjithnjë veçohet gala mbrëmja.
“Ramë Lahaj&Friends” edhe sivjet sikurse në dy vitetet paraprake, do ta kthejë Prishtinën në arenë operistike botërore.
“Programi qendror i edicionit të 3-të të festivalit ndërkombëtar 'Ramë Lahaj' risjellë para publikut tenorin kosovar të skenave botërore, nën shoqërinë e miqve të tij si: soprano e njohur Yulia Suleimanova, tenori Alessandro Safina e baritoni Massimo Cavalleti”, thuhet në njoftimin e RLIOF.
Mbrëmja muzikore do të dirigjohet nga Pier Giorgio Morandi e do të shoqërohet nga Filharmonia e Kosovës. Edhe sivjet arti bashkëvepron me hapësirën publike dhe sheshi “Skënderbeu” është adresa tashmë tradicionale.
Për bileta rreth këtij festivali mund të informoheni në rrjetet sociale të RLIOF.























