AI po ‘ringjall’ aktorët e vdekur, kritikohet nga komuniteti artistik
BBC / Përktheu: Medina Pasoma
Termi ‘pavdekësi’ për aktorët tashmë po zbatohet 100%, mirëpo jo në një formë krejt legjitime. Kjo për shkak të mundësisë së bartjes së çdo karakteristike të tyre, duke përfshirë zërin, pamjen e mënyrën e aktrimit nëpërmjet inteligjencës artificiale – AI.
Një rast i tillë është aktori amerikan i filmit James Dean, i cili vdiq në vitin 1955 në një aksident automobilistik, pasi luajti vetëm në tre filma, të cilët të gjithë u vlerësuan shumë. Megjithatë, tani, gati shtatë dekada pas vdekjes, Dean ka marrë rolin e yllit në një film të ri të ardhshëm, të quajtur “Back to Eden”, shkruan BBC.
Një ‘klon’ digjital i aktorit – i krijuar duke përdorur teknologjinë e inteligjencës artificiale – do të ecë, flasë dhe ndërveprojë në ekran me aktorë të tjerë në film, transmeton RTKlive.
Por përveç rolit, gjithashtu do të angazhohet me audiencën në platforma interaktive, duke përfshirë realitetin e shtuar, realitetin virtual dhe lojërat. Aq shumë është zhvilluar teknologjia, saqë tashmë është mundësia e ‘shpërfaqjes’ së perspektivës së aktorëve – ose kujtdo tjetër për këtë çështje – për të arritur një lloj pavdekësie që përndryshe do të kishte qenë e pamundur, me karriera që vazhdojnë shumë pasi jeta e tyre ka përfunduar.
Carrie Fisher, Harold Ramis dhe Paul Walker janë vetëm disa personazhe të famshëm që ripërsëritën rolet ikonë të filmit pas vdekjes. Këngëtarja braziliane Elis Regina gjithashtu është ‘ringjallur’ së fundmi për një reklamë makine, ku u shfaq në duet me vajzën e saj Maria Rita.
Mirëpo, aq sa mund të jetë interesante për fansat e aktorëve të vdekur, është po aq problematike për vet komunitetin artistik. Ky është një ndër problemet që u bë shkaktar i grevës së aktorëve e skenaristëve të Hollywoodit, pas 43 vjetësh.
Aktorja Susan Sarandon është ndër ata që ka folur për shqetësimet e saj, duke paralajmëruar se AI mund ta bëjë atë "të thotë dhe të bëjë gjëra për të cilat nuk ka zgjidhje”.
Rreziku i gjurmëve digjitale – selfie, blerje, tekste
Kur Dean vdiq 68 vjet më parë, ai la pas një koleksion të fuqishëm të ngjashmërisë së tij në film, fotografi dhe audio – atë që Cloyd i WRX e quan "material burimor". Cloyd thotë se për të arritur një paraqitje fotorealiste të një Dean, imazhe të panumërta skanohen, akordohen në rezolucion të lartë dhe përpunohen nga një ekip ekspertësh digjital, duke përdorur teknologji të avancuara. Shtoni audio, video e AI dhe papritmas këto materiale bëhen blloqe ndërtuese të një kloni digjital që duket, tingëllon, lëviz dhe madje u përgjigjet kërkesave si Dean.
Ajo që Dean nuk la pas është një gjurmë digjitale, ndryshe nga të famshmit e sotëm që angazhohen në mediat sociale, bëjnë selfie private, dërgojnë tekste dhe email, blejnë gjëra ushqimore në internet e gjëra të tjera. Këto aktivitete ofrojnë sasi të mëdha të dhënash rreth mënyrës sesi mendojmë dhe veprojmë, të cilat potencialisht mund të përdoren për të marrë një klon digjital nga thjesht një binjak sipërfaqësor në një inteligjent që mund të bisedojë bindshëm me të gjallët.
“Deadbots” – komunikimi digjital me të vdekurit
Tani ka edhe kompani që lejojnë përdoruesit të ngarkojnë të dhënat digjitale të të dashurve të vdekur për të krijuar "deadbots" që bisedojnë me të gjallët. Sa më shumë material burimor, aq më i saktë dhe më inteligjent është 'deadbot', që do të thotë se ekzekutuesi i pasurisë së një njeriu të famshëm modern mund të lejojë potencialisht që një klon bindës realist i yllit të vdekur të vazhdojë të punojë në industrinë e filmit – dhe të ndërveprojë disi në mënyrë autonome – në përjetësi.























