Zyrtarët e Ujësjellësit në aksion, i shkyçin konsumatorët borxhlinj/Video
Fatos Cervadiku|RTK
Në një aksion të zyrtarëve të Ujësjellësit Rajonal "Prishtina" në lagjen `Tophane`, u shkyçën borxhli të mëdhenj ndaj kompanisë. Disa konsumatorë i kishin deri në 5 mijë euro borxhe, por pati edhe raste që vetë qytetarët pranuan ta paguajnë gjysmën e borxhit, duke i shpëtuar shkyçjes ndaj ujësjellësit.
Ekipet e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal ‘Prishtina’ dolën në lagjen "Tophane" për t’i shkyçur konsumatorët që nuk i kanë paguar borxhet ndaj saj.
Por, për konsumatorin e parë që kishte borxh, shkyçja nuk u bë, pasi ishte rast social.
“Vetëm sa na erdh një informacion që ky konsumator është rast social edhe rastet sociale na i kemi në konsideratë dhe sot nuk shkyçet”, tha Getoar Graiçevci, zyrtar i KRU 'Prishtina'.
Zyrtarët e ujësjellësit vazhduan edhe shkyçje të konsumatorëve që kanë borxhe nga 2000 deri në 5000 mijë euro.
Te një tjetër qytetar, përpos borxhit ata gjetën edhe një shkelje.
“E ka bo edhe një shkelje tjetër e ka mbuluar pusetën me këto kupëza të betonit”, tha Gazmend Behluli-UD menaxher për kontroll dhe shkyçje.
“Shkyçja tash për tash është ndëshkimi jo i dëshirueshëm për ne, por presioni medial për shërbime më të mira, gjithmonë është më i fuqishmi”, tha Arieta Mjeku-Azizi, zëdhënese e ‘KRU Prishtina’.
Aksioni ndaj borxhlinjve do të vazhdojë edhe në lagjet e tjera të kryeqytetit.























