Jashari siguron mbështetje nga forcat amerikane për FSK-në
M.P / RTKlive
Komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka marrë pjesë në konferencën e shënimit të 30 vjetorit të themelimit të Programit të Partneritetit Shtetëror të Gardave Kombëtare. Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, u riktheksua ideja e bashkëpunimit ushtarak mes Kosovës dhe SHBA-ve.
“Gjeneral Jashari dhe homologu i tij nga Iowa, patën takim me gjenerallejtënant Steven Basham, zëvendës komandant i EUCOM dhe Ambasadoren Kate Byrnes, Këshilltare për Politika te Jashtme ne EUCOM. Gjeneral Jashari, shfrytëzoi rastin për te falënderuar SHBA dhe EUCOM, për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën dhe FSK, dhe i njoftoi për se afërmi për sukseset dhe arritjet e përbashkëta me partnerin tonë, Iowan”, thuhet në komunikatën për media nga FSK
Përgjatë takimit janë potencuar edhe mundësitë e bashkëpunimit ushtarak ndërshtetëror.
“Gjeneral Jashari, konfirmoi gatishmërinë e FSK-së, për pjesëmarrje në misione të përbashkëta me ushtrinë Amerikane dhe ne aktivitete e trajnime tjera në funksion të mbajtjes dhe zhvillimit të aftësive te ndërveprimit me forcat partnere. Gjeneral Basham dhe Ambasadorja Byrnes, falënderuan Gjeneral Jasharin dhe Gjeneral Osborn, dhe konfirmuan vullnetin e EUCOM për mbështetje dhe përkrahje për Forcën e Sigurisë se Kosovës”, vazhdon komunikata.
Konferenca kishte mbi 800 të pranishëm dhe Kosova u përfaqësua me ftesë të Gjeneral Daniel R. Hokanson, Shef i Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-ve.























