Krasniqi dhe Hovenier flasin për situatën politike në vend
SH.Ç/RTKlive
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka takuar ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka biseduar për situata aktuale politike, qëndrimet e PDK-së në raport me to dhe veprimet e nevojshme përpara.
“Për PDK-në, siç kemi thënë nga fillimi, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, të cilat përtej dëmtimit të progresit dhe imazhit të vendit, i sollën Kosovës edhe sanksione nga partnerët kryesorë ndërkombëtarë, janë tërësisht të papranueshme”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai ka bërë të ditur se e ambasadorit amerikan i ka shprehë qëndrimin që Kosova të mos vuaj masa ndëshkuese për shkak të kryeneçësisë politike të një individi.
“PDK vlerëson se kjo Qeveri e ka humbur rrugën e duhur, njëkohësisht edhe kredibilitetin e saj, prandaj, zgjedhjet e parakohshme janë alternativa e vetme. Ambasadorin amerikan e falënderova për përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm në interes të shtetit dhe qytetarëve tanë dhe e sigurova se PDK do të angazhohet fuqishëm që përmes të gjitha mjeteve demokratike, të luaj rrolin e saj konstruktiv në shërbim të këtij interesi”, ka theksuar Krasniqi.























