Mungon Bislimi, dështon mbledhja e Komisionit
BKT
Në Fokus

Mungon Bislimi, dështon mbledhja e Komisionit

Visar Shatrolli /RTK

Ka dështuar mbledhja e Komisioni për Integrime Evropiane, për shkak se Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, nuk ka shkuar të raportoi në këtë komision për masat e BE-së për Kosovën.

Kryesuesja e këtij komisioni, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka konfirmuar një ditë më herët pjesëmarrjen e tij në komision, por se sot nuk ka shkuar për të raportuar.

“Sot e pamë që kjo ka qenë e qëllimshme pasi nuk ishin prezentë as deputetët e pozitës. Qëllimi i takimit ka qenë që Bislimi të tregojë në lidhje me sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, sepse ne si komision ende nuk e kemi listën e projekteve për IPA dhe në bazë të rregullores zëvendëskryeministri do duhej ta sillte listën e projekteve. Po shihet serioziteti i kësaj Qeverie. Ai do të duhej të vinte të na tregonte për takimin në Bratislavë, një takim që do duhej të ndodhte në Bruksel dhe jo atje”, ka thënë Krasniqi.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për mos raportim. Sipas saj, skandalet e Qeverisë janë të panumërta dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Njeriu dy i kësaj Qeverie prej marrëzisë dhe skandaleve sot nuk ishte për të raportuar, sepse e gjithë ajo që ka bërë kjo Qeveri janë skandalet e panumërta. Sot Kosova është më keq se kurrë nga brenda më e izoluar se kurrë nga jashtë. Në seancën e fundit kemi parë që numri dy ushtron dhunë ndaj deputetëve, ata sa më herët duhet t’i lirojnë pozitat dhe vendi të shkoj në zgjedhje e të kthehet legjitimiteti te qytetarët”, tha ajo.

Kritika për mos raportim të Bislimit, pati edhe deputetja e AAK-së, Time Kadriaj. “Kjo është Qeveria më jotransparente dhe është e obliguar Qeveria përmes një rezolutë që të diskutojë për dialogun. Po e shihni se kjo Qeveri po ik nga deputetët”, tha Kadriaj.

Ndërkohë, në sallen ku pritej të mbahej mbledhja e këtij komisioni, deputetja e PDK-se, Blerta Deliu, ka vendosur në mur fotografi të zëvendëskryeministrit Bislimi nga seanca e kaluar, i cili shihet duke gjuajtur me ujë në drejtim të deputetëve opozitar.


MË SHUME NGA Në Fokus