Marseille dhe Payet ndajnë rrugët
Uran Krasniqi/RTKLive
Mesfushori dhe ish-kapiteni Olympique de Marseille, Dimitri Payet, është larguar nga skuadra franceze pas nëntë sezonesh.
Kjo ka ndodhur një vit para përfundimit të kontratës, ka njoftuar të premten presidenti i klubit, Pablo Longoria.
Francezi në 326 ndeshje të zhvilluara për klubin e njohur kishte realizuar shtatëdhjetë e tetë gola dhe kishte bërë nëntëdhjetë e pesë asistime.
"U deshën shumë javë reflektimi e diskutimi dhe ja ku jemi: ne kemi vendosur të mos vazhdojmë aventurën së bashku me kapitenin tonë", ka thënë Longoria në një konferencë shtypi së bashku me Payet në stadiumin "Velodrome".
Ish-reprezentuesi francez, i cili kishte kontratë deri në qershor të vitit 2024, i përlotur ka thënë se dëshiron t'i japë vetes kohë për të vendosur për të ardhmen e tij.























