Kurti: Rikthimi i mërgatës në atdhe simbolizon lidhjen e përjetshme|Video
A.B/RTKlive
Sonte në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, është bërë lansimi i platformës, dedikuar mërgatës ‘Shijo Kosovën’.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se mërgata jonë është brenda popullit dhe kombit, edhe pse është jashtë atdheut.
“Rikthimi juaj në atdhe simbolizon lidhjen e përjetshme. Mërgata ka luajtur rol të rëndësishëm në të gjitha fushat dhe etapat”, tha Kurti. Sipas tij kontributi i mërgatës ndjehet në të gjitha segmentet, raporton RTKlive.
Shefi i ekzekutivit premtoi mbështetje ndaj diasporës. Kurti tha se një mundësi e mirë për diasporën është edhe investimi në Fondin Sovran, që me të synohet indeksimi i kompanive kosovare.
‘’Si mërgatë, ju keni luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe vazhdoni të luani sa i përket zhvillimit ekonomik e social, politik e kulturor të Kosovës’’, u shpreh kryeministri.
Në këtë vit, kryeministri njoftoi se kemi arritur një nivel tjetër të bashkërendimit dhe bashkëpunimit me bashkatdhetarët. Idetë e tyre për të ofruar mënyra inovative për përfshirje të diasporës në jetën politike, sociale, ekonomike dhe kulturore të Kosovës kanë filluar të marrin formë, dhe shumë programe janë zhvilluar duke pasur në mendje idetë dhe sugjerimet e tyre; programe sikurse Programi për Diplomaci Qytetare dhe Java e Kulturës në Kosovë.. Dhe për këtë, kryeministri i falënderoi përzemërsisht!
E tash, tha më tej ai, edhe platforma "Shijo Kosovën" këtë vit përfshinë shumë më shumë aktivitete, partnerë dhe bashkëpunëtorë të ndryshëm duke e bërë këtë platformë bashkë-udhëtar të rëndësishëm të qëndrimit tuaj në Kosovë, jo vetëm gjatë verës, por gjatë tërë vitit.
Edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka vlerësuar rolin e mërgatës. Sipas saj platforma dedikuar mërgatës ‘Shijo Kosovën’, është mundësi për mërgatën.
Në këtë pritje, të pranishëm ishin edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, zëvendësministrat Daulina Osmani nga Ministria e Kulturës. Rinisë dhe Sportit, përgjegjëse për sportin, Getoar Mjeku nga Ministria e Ekonomisë, dhe Agon Dobruna, nga Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve
























