Dhomat e Specializuara të Kosovës pushojnë hetimet ndaj Driton Lajçit
A.B/RTKlive
Driton Lajçi, ish-udhëheqës për Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar nga Gjykata Speciale në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, pas disa viteve të hetimeve ka marrë njoftim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, se hetimet ndaj tij kanë pushuar.
Më datë 17 korrik 2023, Prokurori Special e njoftoi z. Lajçin se ishte marrë vendimi, bazuar në informacionin në dispozicion, për të përfunduar hetimin. 
Ndryshe më 3 maj 2019, Zyra e Prokurorit Special (PSP) e njoftoi z. Driton Lajçi se ai ishte nën hetim për veprat e supozuara. Lajçi në atë kohë ishte i punësuar si Udhëheqës i Divizionit për Koordinimin e Mbrojtjes Ligjore dhe Mbështetjes Financiare për Personat e Akuzuar Potencial në Gjykatë para Dhomave të Specializuara në Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës, pozitë të cilën e mbante që nga 26 nëntori 2018. Më 17 tetor 2019, z. Lajçi u intervistua nga SPO në Hagë si i dyshuar. Ai u përfaqësua nga një ekip ligjor i kryesuar nga Toby Cadman, i emëruar si këshilltar i tij i specializuar.
Si rezultat i hetimeve në vazhdim, z. Lajçi dha dorëheqjen nga posti i tij qeveritar më 2 nëntor 2020.
Pas atyre që u konsideruan si parregullsi procedurale dhe moszbulim në procesin e intervistimit, një referencë në Kolegjin e Gjykatës Kushtetuese u paraqit më 14 nëntor 2019. Kolegji i Gjykatës Kushtetuese e shpalli kërkesën të papranueshme si ‘të parakohshme’ pasi ai nuk ishte akuzuar.
Në datën 11 dhjetor 2020, në Prokurorin e Specializuar është bërë kërkesë për pushimin e hetimeve. Prokurori i Specializuar nuk pranoi të pushonte hetimet.
Më 26 mars 2021, në emër të z. Lajçi u dorëzua një ankesë tek Ombudspersoni i KSK-së. Nuk u mor asnjë masë.
Gjatë periudhës 2021-2023, janë bërë edhe tre kërkesa të tjera për pushimin e hetimit me arsyetimin se ai kishte tejkaluar një afat të arsyeshëm, të garantuar nga kuadri ligjor dhe kushtetues në fuqi. Në emër të z. Lajçi u argumentua se kishte pasur një periudhë të konsiderueshme vonese të pajustifikuar dhe se kjo vonesë ishte përgjegjësi e autoriteteve përkatëse administrative dhe gjyqësore.
Më tej, u argumentua se çështja në shqyrtim nuk ishte tepër komplekse, se çdo vonesë që i atribuohej z. Lajçi ishte e parëndësishme dhe se çdo vonesë e shkaktuar nga autoritetet përkatëse administrative dhe gjyqësore nuk i atribuohej atij personalisht, duhet të përgjigjet në favor të tij, jo në dëm të tij. Kjo u mbështet qartë nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Dhomat e Specializuara nuk i pranuan ato parashtresa dhe hodhën poshtë të gjitha kërkesat për të urdhëruar përfundimin e hetimit, raporton RTKlive. Hetimi mbeti i hapur pa asnjë akuzë, duke e lënë z. Lajçi në një gjendje pasigurie për katër vite e gjysmë.























