Luis Suarez, drejt Inter Miami-t
RTSH
Lionel Messi ishte padyshim kulmi, por duket se projekti i skuadrës amerikane me pronar Devid Beckhamin, nuk do të ndalet këtu.
Trajneri i Inter Maiami-t, Tata Martino, ka konfirmuar se ekipi i tij është në bisedime me Gremion për transferimin e sulmuesit Luis Suarez.
Sipas asaj që raporton të martën rrjeti prestigjioz “ESPN”, Martino ka pranuar se transferimi i Suarezit këtë verë nuk do të jetë aspak i lehtë, pasi ai ka kontratë me ekipin brazilian deri në fund të vitit 2024.
Trajneri argjentinas nuk e ka fshehur se Suarezi do të ishte një përforcim i madh për Inter Miamin, duke pasur parasysh formën që po e tregon me fanellën e Gremios. Por tek skuadra amerikane, Luis Suarezi do t’i gjente ish-bashkëlojtarët e tij tek Barcelona, Lionel Messin, Sergio Busquets dhe Jordi Alba-n. 36-vjeçari në fillim të këtij viti iu bashkua Gremios, ekip për të cilin ka shënuar 13 gola dhe ka asistuar 9 herë.
Ndërkohë, Lionel Messi mund të bëhet shumë lehtë golashënuesi më i mirë në historinë e Inter Miamit. Bashkëatdhetari i tij, Gonzalo Higuain, është futbollisti që e mban këtë rekord me 29 gola. Në fakt, 7 herë fituesi i “Topit të Artë” sapo e ka hapur llogarinë e golave te klubi i tij i ri.
Messi shënoi në debutimin e tij me Inter Miami-n në Kupën e Ligës ndaj Kruz Azul, duke ekzekutuar mjeshtërisht një goditje të lirë.
Argjentinasi tashmë mban rekordin për më shumë gola të realizuar me Barcelonën dhe Argjentinën dhe të njëjtën gjë do të kërkojë ta bëjë edhe me ekipin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.























